Senati brazilian rekomandon padi kundër presidentit Bolsonaro

Një komitet parlamentar brazilian i atribuoi krime të rënda presidentit Jair Bolsonaro në lidhje me pandeminë shkatërruese të koronavirusit në vend dhe rekomandoi ngritjen e një aktakuze.
Komiteti votoi dje 7-4 për të miratuar zyrtarisht raportin përfundimtar të komitetit për politikat e koronavirusit të Bolsonaros.
Raporti e akuzon Bolsonaron me nëntë krime duke filluar nga sharlatanizmi tek nxitja e krimit dhe krimet kundër njerëzimit.
Ai gjithashtu rekomandon shkarkimin.
”Komiteti hetimor ka dëshmuar gjurmët e presidentit në mijëra vdekje nga Covid-19”, tha senatori Renan Calheiros, autori i raportit, javën e kaluar ndërsa prezantoi dokumentin.
Pas SHBA-së dhe Indisë, Brazili ka numrin më të madh të infeksioneve me koronavirus, me afro 22 milionë raste.
Së fundmi, vendi më i madh në Amerikën Latine ka kaluar shifrën e 600 000 vdekjeve nga Covid-19.
Përveç Bolsonaros, raporti prej gati 1 300 faqesh rekomandon akuza kundër dhjetëra njerëzve duke përfshirë tre nga djemtë e presidentit dhe dy kompani.
Nuk është e qartë se çfarë pasojash do të ketë raporti dhe nëse rekomandimet do të çojnë në kallëzim penal./ATSH
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




