Ursula von der Leyen: Vendimi i Polonisë kërcënon bllokun

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kritikuar ashpër vendimin e gjykatës kushtetuese të Polonisë që sfidon drejtpërdrejt epërsinë e ligjeve të BE-së. Kryeministri polak Mateusz Morawiecki mbrojti të martën qëndrimin e vendit të tij se ligji më i lartë i Polonisë është kushtetuta e vendit dhe jo ligji i Bashkimit Evropian. Nga ana e saj zonja der Leyen u shpreh se vendimi kërcënon themelet e bllokut dhe do të ketë reagime. Në një fjalim para ligjvënësve të Bashkimit Evropian në Strazburg, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, tha se vendimi i Polonisë përbën “një sfidë të drejtpërdrejt ndaj unitetit të BE-së” dhe se dëmton mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit.
“Sundimi i ligjit është ajo që mban të bashkuar bllokun tonë. Është themeli i unitetit tonë. Është thelbësor në mbrojtjen e vlerave mbi të cilat u themelua ky bllok. Demokracia, liria dhe barazia.”
Presidentja tha se Komisioni do të sfidojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese Polake përmes mekanizmave të ndryshëm. Gjatë seancës plenare të Parlamentit Evropian në Strazburg Kryeministri polak Mateusz Morawiecki mbrojti qëndrimin e vendit të tij, se ligji më i lartë i Polonisë është kushtetuta e vendit dhe jo ligji i Bashkimit Evropian. Ai këmbënguli se Polonia respekton traktatet e BE-së ndërsa hodhi poshtë kritikat se vendimi i gjykatës po e çon vendin drejt një “Polexit” të mundshëm, ose thënë ndryshe dalje nga blloku prej 27 vendesh anëtare.
“Mbështetja e polakëve ndaj BE-së është në nivelin prej 85%. Polonia është dhe do të mbetete anëtare e bllokut”, tha Kryeministri Morawiecki.
Muajin e kaluar, Komisioni Evropian i kërkoi Gjykatës Evropiane të Drejtësisë që të vendosë gjoba ditore ndaj Polonisë derisa ai vend të përmirësojë funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe të pezullojë ligjet e reja që konsiderohen se minojnë pavarësinë gjyqësore.
Në varësi të mënyrës se si qeveria polake do të shfrytëzojë vendimin e fundit, blloku ka në dispozion mekanizma të ndryshëm financiarë për të detyruar Varshavën të veprojë në përputhje me ligjin e BE-së.
Udhëheqësja von der Leyen u shpreh se mund të përdoret edhe “Neni 7” që është sanksioni më i fuqishëm politik i bllokut, duke i pezulluar Polonisë të drejtat e votimit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




