Mali reagon ndaj deklaratave të presidentit francez Macron

Botë | 5 vite më parë

Ambasadori i Francës në Bamako, M. Joel Meyer, u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Malit për shkak të vërejtjeve të presidentit francez, Emmanuel Macron, që synonin qeverinë e Malit.

Në një deklarate me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Malit, ambasadori francez në Bamako, Meyer, është thirrur në Ministrinë e Jashtme për shkak të “deklaratave armiqësore dhe fyese” të përdorura nga Macron kundër institucioneve shtetërore të Malit.

Diplomatit francez iu shpreh zemërimi i Qeverisë së Malit ndaj këtyre deklaratave dhe iu bënë protesta të forta kundër këtyre deklaratave, të cilat mund të dëmtojnë marrëdhëniet miqësore.

Ai bëri thirrje për një qasje konstruktive të bazuar në respektin reciprok për t’u përqendruar në çështjet kryesore, veçanërisht luftën kundër terrorizmit në Sahel, duke ftuar autoritetet franceze të “shmangin ndjekjen penale”.

Gjithashtu u theksua se nëse kërkohet, Qeveria e Malit është e gatshme të formojë marrëdhënie të përzemërta dhe harmonike, me partnerë që respektojnë kërkesat legjitime të popullit malian.

Polemika e “Wagner”-it midis Francës dhe Malit

Kryeministri i Malit, Choguel Kokalla Maiga akuzoi Francën, e cila vendosi të tërhiqej nga Mali, se kishte vepruar në mënyrë të njëanshme pas pretendimeve se kompania private ushtarake ruse “Wagner” do të vendoset në vend.

Komandanti i operacionit francez Barkhane në Sahel, Laurent Michon deklaroi se kishte qenë në bisedime me administratën e Bamakos për rreth 2 vjet në lidhje me vendimin për t’u tërhequr nga tre bazat në veri të Malit.

Presidenti francez, Macron deklaroi se ishte i tronditur nga fjalët e Maiga-s dhe tha: “Këto deklarata të turpshme nga një vend që ka përjetuar dy grusht shtete radhazi dhe që nuk ka as qeveri janë të papranueshme. Ne jemi në Mali me kërkesë të shtetit Mali. Pa Francën, Mali do të kishte rënë në duart e terroristëve”.

Pretendimi se “Wagner”-i do të vendoset në Mali

Pretendohet se qeveria kalimtare e dominuar nga ushtria e krijuar pas grusht shtetit në Mali dhe grupi rus “Wagner” ishin gati të nënshkruanin marrëveshjen, e cila parashikon trajnimin e ushtrisë maliane dhe mbrojtjen e zyrtarëve të lartë.

Gjithashtu pretendohet se rreth 1.000 mercenarë mund të shkojnë në Mali dhe në këmbim do të paguhen 10.8 milionë dollarë në muaj.

Nga ana tjetër zyrtarët malianë, nuk i mohuan akuzat dhe thanë se janë të hapur për çdo lloj bashkëpunimi në fushën e sigurisë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov konfirmoi se zyrtarët e Malit u takuan me “Wagner” dhe shtoi se Mali ka të drejtë të ftojë “kompani private ruse” në vend.

Në mediat ruse thuhet se një grup mercenarësh rusë ishin në Mali që nga 1 tetori.

“Wagner”-i mund të jetë në 9 vende të Afrikës

Mercenarët e “Wagner”-it trajnojnë ushtritë lokale, mbrojnë figurat kryesore, luftojnë kundër grupeve kryengritëse ose terroriste dhe sigurojnë miniera ari, diamanti dhe uraniumi në pikat e nxehta.

Mercenarët rusë besohet se kanë vepruar në Libi, Republikën e Afrikës Qendrore, Sudan, Mozambik, Guine, Guinea Bissau, Madagaskar, Zimbabve dhe Angola./AA

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme