Bisedime të nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor

Botë | 5 vite më parë

Udhëheqësit nga 27 shtetet e BE -së dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që shpresojnë të bashkohen në BE, do të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë që nuk duket se do të lehtësojnë zhgënjimin e rajonit lidhur me perspektivat e paqarta për anëtarësim.

Bashkimi Evropian duhet të riafirmojë për herë të parë me shkrim angazhimin e tij ndaj procesit të zvarritur të zgjerimit, i cili u miratua gati 20 vjet më parë.

Por, nuk ka një datë të caktuar.

Gjithashtu priten njoftime për investimet e BE -së në rajon, por kjo mund të mos u përshtatet të gjithëve.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi të gjithë do të donin t’i bashkoheshin bllokut të begatë ku kjo do t’u garantonte atyre qasje në tregun e vetëm dhe lirinë e lëvizjes, por asnjë vend anëtar i BE-së nuk ka rënë dakord për një afat të qartë kohor.

Disa anëtarë, si Austria, Sllovenia dhe Gjermania, paralajmërojnë se një ngërç shumë i gjatë do t’i shtyjë ata në krahët e lojtarëve të tjerë ndërkombëtarë.

Rusia dhe Kina, ndër të tjera, po investojnë shumë në rajon.

Por, të tjerët, veçanërisht Franca, por edhe Danimarka dhe Hollanda, kanë dyshime se ata po lëvizin shumë shpejt.

Blloku tashmë po përpiqet të gjejë konsensus midis 27 anëtarëve.

Vitin e kaluar Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut morën dritën jeshile për të filluar negociatat zyrtare të pranimit, por kundërshtimi nga Franca, pastaj Republika Çeke, Sllovakia dhe kohët e fundit Bullgaria sollën bllokimin e tyre./ATSH


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme