Australi, kryeministrja e Uellsit të Ri Jugor jep dorëheqje pas hetimeve për korrupsion

Botë | 5 vite më parë

Udhëheqësja e shtetit më të populluar të Australisë u largua të premten pasi një agjent anti-korrupsion zbuloi se po e hetonte atë për një lidhje të fshehtë me një ish-deputet.

Kryeministrja e Uellsit të Ri Jugor (New South Wales), Gladys Berejiklian tha se largimi nga posti derisa Komisioni i Pavarur Kundër Korrupsionit (ICAC) e hetonte atë do të shpërqendronte qeverinë e saj në fazën kritike të shpërthimit të COVID-19 në Sidney.

Numri i pacientëve me COVID-19 në spitalet e Sidneyit pritet të arrijë kulmin gjatë tetorit pasi normat e vaksinimit rriten në të gjithë shtetin dhe qyteti del nga mbyllja e cila u imponua në fund të qershorit.

“Dorëheqja ime si kryeministre nuk mund të kishte ndodhur në një kohë më të keqe, por momenti është krejtësisht jashtë kontrollit tim pasi ICAC ka zgjedhur të ndërmarrë këtë veprim gjatë javëve më sfiduese të kohëve më sfiduese në historinë e shtetit. Kjo është e drejta e ICAC”, u tha Berejiklian gazetarëve.

“Dorëheqja në këtë kohë është kundër çdo instinkti në qenien time dhe diçka që nuk dua ta bëj. Por, mua nuk më është dhënë asnjë opsion tjetër pas deklaratës të bërë sot”, shtoi ajo.

ICAC, agjencia e pavarur e sektorit publik me bazë në shtet, tha se po heton nëse kishte konflikt midis detyrave publike të kryeministres dhe marrëdhënies së saj të pazbuluar personale me ish-kolegun e qeverisë, Daryl Maguire.

Marrëdhënia pesëvjeçare, e cila ka përfunduar, u bë publike vitin e kaluar kur Berejiklian i dha dëshmi një hetimi të ICAC nëse Maguire shfrytëzoi pozitën e tij si deputet për të arritur një përfitim të pahijshëm për veten dhe bashkëpunëtorët e tij. Ai dha dorëheqjen nga Parlamenti në vitin 2018.

Berejiklian do të hetohet mbi grantet qeveritare të dhëna ose të premtuara për grupet e komunitetit në elektoratin e Maguire-s.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, i cili është anëtar i Partisë Liberale konservatore të Berejiklian, e përshkroi atë si një “person me integritetin më të lartë”.

“Gladys është një mik i dashur, ne e njohim njëri-tjetrin për një kohë të gjatë. Ajo kishte shfaqur cilësi heroike si kryeministre”, tha Morrison.

Berejiklian ishte ministre e qeverisë në vitin 2014 kur kryeministri i atëhershëm Barry O’Farrell dha dorëheqje për shkak të një hetimi të ICAC lidhur me mos deklarimin të një shishe vere prej 3.000 dollarësh australianë (2.800 dollarë) në regjistrin e dhuratave.

Kolegët e qeverisë së Berejiklian do të zgjedhin kryeministrin e ri në një datë që pritet të shpallet. Ajo do të largohet nga politika në zgjedhjet e parakohshme të cilat ende nuk janë caktuar./AA


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme