Sllovenia: BE të dërgojë një sinjal të qartë për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor

Botë | 5 vite më parë

Është vendimtare që Bashkimi Evropian të jetë në gjendje të dërgojë një sinjal të fortë dhe të qartë vendeve të Ballkanit Perëndimor për të arritur kështu zgjerimin dhe integrimin në institucionet e komunitetit, deklaroi presidenti i Asamblesë Parlamentare sllovene, Igor Zorçiç, në një takim me kolegët nga Ballkani Perëndimor.

”Procesi jo vetëm që duket se është ndalur, por ka shkuar në drejtim të gabuar, sepse shumë nga këto parlamente nuk e shikojnë më BE-në si të ardhmen që ata aspirojnë”, theksoi Zorçiç.

”Si presidente e radhës e BE-së, Sllovenia synon të mbajë dhe të ringjallë jo vetëm debatin, por edhe procesin e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.

Java e ardhshme (6 tetor) është planifikuar në Brdo pri Kranju një samit BE-Ballkani Perëndimor për të njëjtën çështje, e cila është ndër prioritetet e presidencës sllovene duke u përpjekur për të arritur marrëveshje mbi kornizat negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe për të vazhduar procesin e negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi.

Gjithashtu presidenti slloven, Borut Pahor, dhe ministri i Jashtëm, Anze Logar, kanë dërguar mesazhe mbështetëse dhe nxitëse për zgjerimin dhe integrimin duke e konsideruar atë jetike për mirëqenien e qytetarëve të rajonit./ATSH


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme