Rusia fillon zgjedhjet disaditore parlamentare, pa praninë e OSBE-së

Rusët filluan të votojnë për zgjedhjet parlamentare për 450 deputetë në Duma, por një fitore e ”Rusisë së bashkuar”, partisë në pushtet, që ka mbështetur presidentin Vladimir Putin për dy dekada, konsiderohet një përfundim i pashmangshëm.
Votimi do të zhvillohet gjatë tre ditëve, sipas autoriteteve, një vendim i marrë për të kufizuar përhapjen e koronavirusit, por që sipas opozitës rrit shanset për mashtrime.
Kremlini ka burgosur anëtarë të opozitës, madje ua ka ndaluar atyre edhe kandidimin.
Ndërkohë, një media e pavarur është mbyllur muajt e fundit pasi autoritetet i kanë shënjestruar si “agjentë të huaj”, ndërsa vëzhguesit e zgjedhjeve nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) do të mungojnë.
Kreu i opozitës Alexei Navalny po përpiqet, nga burgu, të promovojë Votimin e Zgjuar (Smart Voting), një strategji në të cilën votuesit antiKremlin japin mbështetjen e tyre në masë për kandidatët që shihen se kanë shansin më të mirë për të rrëzuar pushtetin aktual.
Nga burgu i tij, në lindje të Moskës, Navalny ka qenë në gjendje t’u dërgojë mesazhe mbështetësve të tij duke u kërkuar atyre që të bashkohen në rrëzimin e regjimit “të korruptuar” të Putinit.
“Ne mund ta bëjmë, ne jemi më shumë se kurrë”, theksoi Vladimir Milov kohët e fundit në kanalin e tij në YouTube, një nga bashkëpunëtorët e shumtë të Navalnyt, i cili përpiqet të zgjojë entuziazmin e opozitës.
”Rusia e bashkuar”, e cila është aleate dhe në shumë raste e identifikuar me oligarkët rusë, aktualisht ka 336 deputetë në Duma, Dhoma e Ulët e parlamentit rus./ATSH
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




