Kina dhe Gjermania, të gatshme për të avancuar bashkëpunimin

Botë | 5 vite më parë

Presidenti kinez Xi Jinping dhe kancelarja gjermane Angela Merkel ranë dakord gjatë një bisede telefonike të bëjnë përpjekje të përbashkëta për promovimin e marrëveshjes së investimeve Kinë-BE, njofton Radio e Jashtme e Kinës.
Kina dhe Gjermania kanë nxitur së bashku përfundimin e negociatave të marrëveshjes së investimeve Kinë-BE siç ishte planifikuar. Të dy vendet mbrojnë multilateralizmin, mbështetin tregtinë e lirë, përballen aktivisht me ndryshimet e klimës dhe japin një kontribut të madh pozitiv për paqen dhe stabilitetin global, tha Xi.
Ai theksoi se arsyeja e bashkëpunimit të suksesshëm midis Kinës dhe Gjermanisë është që të dy palët respektojnë njëra-tjetrën, kërkojnë terren të përbashkët duke lënë dallimet, fokusohen te bashkëpunimi me përfitime të ndërsjella dhe plotësojnë pikat e forta të njëri-tjetrit.
Xi vuri në dukje se prej vitit 2020, Kina dhe Gjermania kanë mbajtur shkëmbime të shpeshta e efikase, dhe lidhjet dypalëshe pasqyrojnë nivelin e lartë të besimit reciprok.
“Unë i vlerësoj shumë përpjekjet aktive të zonjës Merkel për të promovuar bashkëpunimin praktik dhe shkëmbimet miqësore midis Gjermanisë e Evropës me Kinën,” tha ai.
Presidenti kinez shprehu gjithashtu shpresën se Gjermania do të nxitë BE-në që t’i përmbahet politikës korrekte ndaj Kinës, t’i shikojë dallimet në mënyrë objektive dhe t’i trajtojë ato në mënyrë të arsyeshme, për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të marrëdhënieve Kinë-BE.
Nga ana e saj, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se marrëveshja e investimeve BE-Kinë është e dobishme për të dyja palët dhe se Gjermania shpreson që kjo marrëveshje do të ratifikohet dhe do të hyjë në fuqi sa më shpejt.
Gjermania është e gatshme të mbajë komunikim të ngushtë me Kinën dhe të bëjë përpjekje të përbashkëta për të nxitur të dy palët, si edhe BE-në e Kinën, për të kapërcyer dallimet dhe për të trajtuar siç duhet dallimet nëpërmjet dialogut, shtoi kancelarja gjermane.
Sipas saj, Gjermania shpreson të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fushën e vaksinave.
Të dy liderët gjithashtu shkëmbyen pikëpamje mbi çështjen e Afganistanit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme