Ambasadori rus në SHBA: Uashingtoni kërkon largimin e 24 diplomatëve

Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, tha se Uashingtoni i kishte kërkuar 24 diplomatëve rusë të largohen nga vendi deri më 3 shtator pasi skadojnë vizat e tyre. Sipas tij Uashingtoni i ka ashpërsuar papritur procedurat e lëshimit të vizave.
“Pothuajse të gjithë ata do të largohen pa u zëvendësuar sepse Uashingtoni i ka ashpërsuar papritur procedurat e lëshimit të vizave,” tha Antonov në një intervistë me revistën National Interest të botuar të dielën.
Por kjo deklaratë e ambasadorit rus u kundërshtua nga zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit Ned Price, i cili tha se përshkrimi i situatës nga Antonov ku përfshihen 24 diplomatë rusë me viza të skaduara amerikane, është i pasaktë.
Në një konferencë shtypi, zëdhënësi tha se diplomatët rusë “mund të aplikojnë për një zgjatje” të vizave të tyre dhe “aplikimet e tilla shqyrtohen rast pas rasti”.
Moska dhe Uashingtoni kanë patur prej kohësh mosmarrëveshje të ndryshme për një sërë çështjesh dhe që u përkeqësuan më tej pasi presidenti amerikan Joe Biden tha se besonte se presidenti rus Vladimir Putin ishte një vrasës.
Tensionet u zbutën disi pasi presidenti Biden takoi presidenti Putin për bisedime më 16 qershor, të cilat çuan në kthimin e parave të disa investitorëve të huaj në bonot e thesarit të qeverisë ruse.
Ambasadori Antonov tha gjithashtu se ai shpresonte që dialogu i filluar kohët e fundit mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mbi çështjet e sigurisë kibernetike do të vazhdojë./A2
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




