Rriten tensionet Kinë-Tajvan

Botë | 6 vite më parë

Tajvani tha se avionë luftarakë të forcave ajrore kineze, hynë për të dytën ditë me radhë në zonën e tij të mbrojtjes ajrore, një rritje e tensioneve vetëm pak ditë pas ardhjes së administratës së re të Presidentit Joe Biden, njofton VOA.

Tajvani, i cili qeveriset në mënyrë demokratike, shihet nga Kina si territor i saj dhe muajt e fundit Pekini e ka shtuar aktivitetin ushtarak pranë ishullit.

Por aktivitetet e Kinës gjatë fundjavës shënojnë një shkallëzim të ri, pasi përfshijnë dërgimin e avionëve luftarakë dhe të bombarduesve, në vend të avionëve të zbulimit, siç ka ndodhur zakonisht deri kohët e fundit.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se dërgoi forcat e saj ajrore si kundërpërgjigje.

Një aktivitet i tillë ka të ngjarë të shqetësojë më tej Uashingtonin, i cili të shtunën i kërkoi Kinës të ndalte presionin ndaj Tajvanit, duke riafirmuar angazhimin e tij ndaj ishullit dhe dëshirën për të thelluar marrëdhëniet.

Ndërkaq, ushtria amerikane tha të dielën se aeroplanmbajtësja USS Theodore Roosevelt bashkë me grupin e saj detar, hyri në Detin e diskutueshëm të Kinës Jugore për të mbrojtur “lirinë e deteve”, siç u shpreh ajo.

Administrata e Presidentit Biden ka thënë se angazhimi i saj ndaj Tajvanit është “i fortë”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme