Donald Trump vazhdon betejën ligjore

Botë | 6 vite më parë

Udhëheqësit kryesorë republikanë të legjislaturës së shtetit të Miçiganit, thanë pas një takimi me Presidentin Donald Trump të premten, se ata nuk kishin ndonjë informacion që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në këtë shtet, ku demokrati Joe Biden mundi republikanin Trump.
“Ne ende nuk jemi vënë në dijeni për ndonjë informacion që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve në Miçigan dhe, si udhëheqës legjislativë, do të ndjekim ligjin dhe procesin normal në lidhje me elektorët e Miçiganit,” tha në një deklaratë udhëheqësi i shumicës republikane të Senatit të Miçiganit Mike Shirkey.
Presidenti Trump u takua në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësit e legjislaturës së Miçiganit ndërsa fushata e tij vazhdon të sfidojë fitoren e Joe Biden, bazuar në akuzat për mashtrim të votuesve.
Takimi duket se ishte pjesë e fushatës së pazakontë pas-zgjedhore të Presidentit Trump për të bllokuar fitoren e Biden në Miçigan dhe në shtetet e tjera fushë-betejë, me synim përmbysjen e rezultateve zgjedhore në mbarë vendin
Biden, fitoi në Miçiganin me 154,000 vota më shumë. Por ky shtet ende nuk i ka çertifikuar rezultatet, ndërsa Trump dhe aleatët e tij vazhdojnë të përpiqen të bindin gjyqtarët dhe ligjvënësit e shtetit për të mos përfillur votën popullore, por që elektorët të zgjidhen nga legjislatura e shtetit, ku republikanët kanë shumicën.
Presidenti Trump dhe aleatët e tij po ndërmarrin hapa gjithnjë e më të dëshpëruara për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, përfshirë thirrjen e legjislatorëve të shtetit të Miçiganit në Shtëpinë e Bardhë si pjesë e një përpjekjeje me pak gjasa për sukses për të përmbysur fitoren e Joe Bidenit.
Ekspertët e ligjit zgjedhor i shohin këto si përpjekjet e fundit të dëshpëruara, nga ekipi i fushatës së presidentit Trump dhe thonë se është e sigurt që  Biden do të hyjë në Zyrën Ovale në janar. Por ekziston një shqetësim i madh se përpjekja e Trump po i bën dëm të konsiderueshëm besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve amerikane.
Aleatët e presidentit Trump i kanë mëshuar faktit se presidenti Trump udhëhiqte në fillim në Miçigan dhe disa shtete të tjera natën e zgjedhjeve dhe ky rezultat ndryshoi pasi erdhën votat me postë pas mbylljes së votimeve, duke e përdorur këtë si provë të dyshimtë.
Shumë nga akuzat për mashtrim burojnë nga vëzhguesit e zgjedhjeve, të cilët depozituan dëshmi ligjore që janë përfshirë në procese gjyqësore në shtetet e fushës së betejës 
Ndërkohë në Pensilvani, ku ekipi i fushatës së presidentit Trump po sfidon rezultatet e zgjedhjeve në gjykatën federale, një ekip ligjor i udhëhequr nga Rudy Giuliani sugjeroi në një çështje ligjore të depozituar të mërkurën që gjyqtari të urdhërojë legjislaturën shtetërore të udhëhequr nga republikanët të zgjedhë elektorët në Kolegjin Zgjedhor, duke hedhur potencialisht 20 vota elektorale për zotin Trump.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme