9 ditë nga zgjedhjet në SHBA

Botë | 6 vite më parë

Vetëm 9 ditë i ndajnë SHBA-të nga zgjedhjet presidenciale, ku do të zgjidhet presidenti i 46 dhe kandidatët Trump dhe Biden po kërkojnë votën e të pavendosurve. Presidenti republikan Donald Trump, sfiduesi i tij demokrat Joe Biden si dhe dy kandidatët për nënpresident, Pence dhe Harris, po përpiqen të inkurajojnë mbështetësit e tyre e të ndikojnë tek votuesit e pavendosur.

Zoti Trump zhvilloi tubime në shtete të vogla në verilindje të vendit si Nju Hempshër dhe Mein, numri i vogël i votave elektorale të të cilave mund të jetë vendimtar ne rast të një rezultati të ngushtë.

Dy kandidatët për president po kërkojnë të sigurojnë një shumicë prej 270 votash nga Kolegji Zgjedhor prej 538 anëtarësh. Në vitin 2016 zoti Trump humbi 4 votat elektorale të Nju Hempshërit me një rezultat të ngushtë ndaj demokrates Hillary Clinton. Por rreth katër vite më parë ai fitoi një nga katër votat elektorale të Meinit, atë të distriktit rural të tij dhe aktualisht është në një garë të ngushtë me zotin Biden për këtë zonë.

Ndërkohë, të dielën në mbrëmje ish-nënpresidenti Biden pritet të mbajë një fjalim virtual në një koncert të titulluar “Unë do të votoj”. Në një kohë kur presidenti Trump vazhdon të organizojë tubime të mëdha me mbështetësit e tij, shpesh në aeroporte, zoti Biden ka ndjekur një qasje më të matur për fushatën përballë epidemisë së koronavirusit. Ai është shfaqur në tubime të vogla, sikurse këtë të dielë, ose përmes transmetimit të drejtpërdrejtë nëpërmjet internetit.

Sipas sondazheve më pak se 5 për qind e votuesve nuk e kanë vendosur ende se për kë do të votojnë. Shumë prej mbështetësve të hershëm të zotit Biden kanë thënë se donin të ishin ndër të parët që do të votonin kundër zotit Trump. Ndërkohë, shumë republikanë thonë se kanë në plan të votojnë ditën e zgjedhjeve, siç ka qenë traditë për dekada të tëra SHBA


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme