Euro, tregu dhe Banka e Shqipërisë: faktorët që frenojnë kursin e këmbimit

Nuk ka të ndalur thepisja e monedhës europiane në tregun shqiptar.
Faktorët janë të shumë, por për periudhën bie në sy rritja e fluksit turistik dhe sidomos rritja e kredisë në lekë që ka sjellë mbivlerësimin rekord të monedhës shqiptare.
Grafikët javorë të kursit të këmbimit e vërtetojnë këtë, ndërsa krahasimi i kësaj rënieje të euros në vitin e fundit tregon se trendi nuk ka të ndaluar.


Sikurse shihet në grafik, kursi zyrtar i është afruar më shumë se kurrë më parë kufirit simbolik të 100 lekëve. Sipas ekspertëve të tregut valutor, kursi i këmbimit vazhdon të jetë nën efektin e faktorit sezonal, me një prurje e madhe e valutës së huaj.
Të dhënat historike tregojnë se kulmi i efektit sezonit veror mbi kursin e këmbimit arrihet mes fundit të muajit korrik dhe fillimisht të muajit gusht.
Ja si e paraqit Banka e Shqipërisë këtë ndryshim të monedhës brenda një viti kalendarik.


Po ndërsa në gushtin e kaluar një euro këmbehej me 111,41 lekë, këtë vit, efekti sezonal ka qenë më pak i dukshëm, për shkak të ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, e cila po kryen blerje direkte të valutës.
Ka tre muaj që Banka e Shqipërisë kërkon të mos e lejojë rënien e euros poshtë kufirit të 100 lekëve. Ekspertët valutore thonë se në qoftë se forcat e tregut do të ishin të lënë të vepronin lirisht, euro prej muajsh do të këmbehej dukshëm poshtë nivelit të 100 lekëve.
Edhe forcimi i lekut ka pasur rol. Rritja e kreditimit dhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë për të frenuar forcimin e monedhës vendase e kanë rritur ofertën monetare të Lekut në nivelin më të lartë prej më shumë se dy vitesh.
Rritja e shpejtë e kredisë në monedhën vendase duket të jetë faktor kryesor. Ajo që vihet re, ka një rezultante: blerja e valutës së huaj dhe injektim në tregu të sasive të shtuara të lekut.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




