Pullat fiskale nga privati tek shteti – Koncensioni merret nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë

Duhet të kishte përfunduar në 6 korrik 2023, por Kuvendi i dha mundësinë kompanisë koncensionare të ushtrojë veprimtarinë e saj të biznesit deri në datën 31 dhjetor 2024.
Pas kësaj date nuk do të ketë koncension privat, por pagesat e çmimeve të pullave fiskale dhe kostove të dërgesave do t’i paguhen personit të autorizuar nga Këshilli i Ministrave, që është Shtypshkronja e Letrave me Vlerë.
“Përfundon kontrata koncensionare dhe do të kalojë në administrim shtetëror. Posaçërisht te Shtypshkronja e Letrave me Vlerë e cila e ka pasur këtë funksion para se të kalonte me koncesion. Nuk bëhët fjalë për kalim apo autorizim pa procedurë në një subjekt privat”, tha ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete.
Ky është ndryshimi ligjor që po debatohet në Kuvend. Kontrata e koncesionit për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave ka përfunduar.
Nga data 1 janar 2025, propozohet që prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale të kryhet shteti. Procedura e porositjes së pullave fiskale mbetet e njëjtë.
“Proceduar mbetet e njejtë, nuk do të ketë lidhje të drejtërdrejtë me personat që bëjnë porosinë, por pagesat e pullave fiskale dhe kostot e dërgesave do të paguhen personit të autorizuar nga Këshilli i Ministrave“, tha deputetja Pranvera Resuli.
Etjen Xhafaj u shpreh se “kjo procedurë është në të mirë të qytetarëve”.
Që nga koha e miratimit ligjor të koncensionit biznesit i ishte shtuar ngarkesa fiskale. Koncensioni, sipas ekspertëve, nuk shërbeu qëllimit për të luftuar evazionin, por rëndoi kostot prodhuese. Në Shqipëri tarifa e këtyre pullave ishte 22,4 USD për 1,000 copë, në Europë çmimi mesatar ishte 3 USD për 1,000 copë, në Kosovë 2,2 USD. Sipërmarrësit vendas paguajnë mbi 7 herë më shumë në raport me çmimin mesatar të pullave në Europë.
Kontrata për vendosjen e pullave fiskale u miratua nga Parlamenti në shkurt të 2011-s dhe që nga ajo kohë është ndryshuar disa herë. Fituesi i koncesionit ishte “SICPA Security Solutions Albania”. Kontrata koncesionare nuk ka zgjidhur problemin e tregtisë së paligjshme dhe informalitet. Nga data 1 janar 2025, pulla fiskale si letër me vlerë dhe monopol shtetëror do të prodhohet dhe do të shpërndahet nga një subjekt i autorizuar nga Këshilli i Ministrave.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




