Taksimi i profesioneve të lira, Kushtetuesja shqyrton paditë. Tabaku: Gjykata të qëndrojë mbi palët

Ekonomi | 2 vite më parë

Gazetari i RTSH, Omer Saraçi, ka dhënë detaje në lidhje mbi diskutimet në sancën që zhvillohet sot në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, që nisi zbatimin me profesionet e lira nga data 1 janar.

Sipas Saraçit, grupe të ndryshme interesi dhe opozita kanë reaguar ashpër për zbatimin e këtij ligji. Ata theksojnë se kjo taksë do i çojë drejt falimentimit.

“Gjykata Kushtetuese po diskuton në lidhje me kushtetutshmërinë e ligjit për taksimin për profesionet e lira. Palë paditëse në këtë seancë është më shumë se 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, shoqata e Institutit të Kontabilistëve, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, Dhoma e Avokatisë dhe Shoqata e Transportit,” tha Saraçi.

Paditë dhe kërkesat paraprake, Gjykata Kushtetuese vendosi që të shqyrtohen të ndara.

Në nisje te seancës, avokati Marash Logu, që përfaqëson deputetët e opozitës, ngriti shqetësimin se bashkimi i tri padive duket sikur kufizon objektin e tyre, që është shfuqizimi për të gjitha profesionet dhe jo për disa kategori:

“Ne kemi kërkuar të shfuqizohet neni 24 pika 2, neni 69 pika 1 gërma dh, fjalia e dytë e ligjit 29/2023 për të gjitha profesionet e lira, ndërsa në objektin e rishikuar duket sikur ne kërkojmë vetëm për profesionet e kontabilistit, ekspertët kontabël dhe  ligjor dhe profesionet e avokatit. Në këtë kuptim duket sikur objekti i kërkimeve tona është reduktuar, megjithëse nuk ka një kërkim të tillë nga ana jonë. Pra nuk duam që të reduktohet kërkesa jonë. Në kërkesën që kanë bërë 1/5 e deputetëve të PD kërkohet shfuqizimi me efekt për të gjitha profesionet e lira dhe jo një kategori.”

Sipas avokatit të opozitës, ndryshimet cenojnë parimin e sigurisë juridike, pasi shkelet kontrata e këtyre individëve që ushtrojnë profesionet e lira.

“Janë gjithsej 29 lloje të ndryshme të aktiviteteve të ndara në 169 profesione  të cilat nuk do të trajtohen më si biznes i vogël me 0% por sipas ligjit të ri do të kaloi në një shkallë tjetër taksimi.”

Tabaku: Gjykata Kushtetuese të qëndrojë mbi palët

Në një prononcim për mediet jashtë Gjykatës, deputetja demokrate Jorida Tabaku denoncoi trajtimin preferencial që parashikon ligjin për taksimin e profesioneve të lira.

“Ligji i Tatimeve është ndryshuar 23 herë. Kjo ka krijuar pasiguri juridike dhe trajtim preferencial për një grup pakice, ndërkohë që 30 mijë profesionistë po paguajnë një tatim të padrejtë. Ne sot provuam që ky ligj është antikushtetues, cenon sigurinë juridikë, ka një trajtim preferencial dhe tregon që efektet mbi bizneset janë shkatërruese për 11 mijë biznese, çka do sjellë edhe rritje të çmimeve.

Ky ligj është fytyra dhe pamje e asaj që qeveria ka treguar në këto vite, favorizimi i pakicës dhe taksimi i shumicës. Grupi Parlamentar i PD do ta mbrojmë këtë shkresë që është e diskriminuar. Argumenti i qeverisë janë  qesharake, se ka abuzim me taksat, duhet të rrisim taksat, se ka paaftësi të drejtorisë së tatimeve duhet të rrisim taksat, se nuk e zbatojnë dot ligjin që kanë ngritur vetë duhet të rrisin taksat”, tha nder te tjera Tabaku, e cila theksoi se “është përgjegjësi e Gjjykatës Kushtetuese që të qëndropjë mbi palët,” u shpreh Tabaku.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme