Ministria e Mbrojtjes, nismë për rivitalizimin e uzinave ushtarake

Ministria e Mbrojtjes ka në fokus rivitalizimin e industrisë ushtarake dhe për këtë është hedhur për konsultim publik dhe pr/ligji përkatës. Zëvendësministri i Mbrojtjes, Enkelejd Joti, gjatë punimeve në Komisionin parlamentar të Sigurisë, ju referua çështjes së Kombinatit Mekanik të Poliçanit i cili prej vitesh rezulton me humbje duke shkaktuar problematikë në dhënien e pagesave të punonjësve.
Ministria e Mbrojtjes për zgjidhjen e kësaj problematike ka propozuar ligjin për “Për financimin e detyrimit të prapambetur të pagesës së punonjësve dhe ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik Poliçan””, tha Joti. Nga këto ndryshime ligjore përfitojnë 4 punonjës aktualë dhe 127 ish-punonjës.
“Qëllimi i ligjit është saktësimi i procedurave për trajtimin financiar për punonjësit dhe ish- punonjësit e kombinatit mekanik Poliçan sipas listës pagesave për vitet janar 2017-dhjetor 2023, duke përjashtuar gjobat dhe kamatvonesat e krijuara në sistem nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pasi janë detyrime që nuk prekin interesat e punonjësve dhe ish- punonjësve të këtij kombinati”, shtoi Joti.
Efektet financiare, për detyrimet për paga dhe deklarimin e kontributeve në sistemin e-filling, janë në masën 58 500 000 lekë për pagat dhe 25 300 000 lekë për sigurime shoqërore, shëndetësore, në vlerën totale 83 800 000 lekë, të cilat do të përballohen nga fondi i alokuar për Ministrinë e Mbrojtjes, në shpenzimet korrente në programin buxhetor “Mbështetja e luftimit”, njësia shpenzuese “Komanda mbështetëse”, brenda vitit 2024.
Lidhur me te ardhmen e kombinatit, Ministria e Mbrojtjes ka ndërmarrë nismë ligjore për rivitalizimin e uzinave ushtarake. Nisma ka qëllim krijimin e një shoqërie shtetërore për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake, si dhe përcaktimin e rregullave për funksionimin e saj. Hartimi i këtij pr.ligji është bërë nga Ministria e Mbrojtjes, shtabi i FA dhe drejtuesit e uzinave ushtarake. Është vlerësuar dhe një raport fizibilitetit nga agjencia e prokurimeve të NATO-s. Nisma është hedhur për konsultim publik.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




