Bursa e energjisë, administratori i ALPEX: Ofron standard të lartë dhe është transparente

Ekonomi | 3 vite më parë

Bursa Shqiptare e Energjise – Flet posaçërisht për RTSH, Sokol Dishnica, Administrator i ALPEX

Që nga muaji prill i vitit të kaluar nuk ka pasur asnjë ankesë për abuzim me tenderat e energjisë dhe korrupsion me to. Platforma e operimit të shitblerjes së energjisë, ose Bursa e Energjisë ALPEX, përmbush të gjitha parametrat teknikë si bursat europiane.

Sokol Dishnica, administrator i ALPEX flet me detaje  për këtë platformë në një intervistë për RTSH-në. Sipas tij, ALPEX është një platforma e tregtimit të energjisë bashkëkohore, që garanton qasjen në algoritmin europian Euphemia, kryen llogaritjet e çmimeve dhe sasive të energjisë të tregtuara në secilën nga bursat europiane. Bursa e dytë në rajon tashmë ka historikun e saj.

“Bursa e energjisë elektrike është pjesë e reformës që qeveria shqiptare nëpërmjet ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndërmarrë për të krijuar një treg të organizuar me shumicë për të tregtuar energjinë elektrike. Si e tillë Shqipëria është tashmë një vend që ka një bursë të konsoliduar prej një viti. Së fundmi kemi projektin e parë të bashkimit të tregjeve me tregun e Kosovës, projekti i parë  brenda Ballkanit Perëndimor. Do ta vlerësoja ecurinë e bursës të mirë, të qëndrueshme, me volume që vijnë në rritje si edhe me interesimin e anëtarëve të bursës që çdo ditë vijnë duke u rritur” tha Dishnica.

Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike sot përmbush të gjitha parametrat teknikë që bursat europiane kanë si një instrument i ri i digjitalizuar. Mbulon më së miri nevojat e tregut për të ngritjen e kapaciteteve të reja prodhuese që janë në ndërtim apo do të ndërtohen.

“Ne mund të konfirmojmë që standarti i bursës shqiptare i energjisë elektrike përfshi edhe bashkimin e tregjeve Shqipëri-Kosovë është pak a shumë me burset europiane. Kjo falë parashikimeve që ligj shqiptar dhe aktet nënligjore dhe rregullative kanë ndërmarrë në mënyrë që Shqipëria të përafrohet me tregun europian”, shtoi ai.

Sipas administratorit Dishnica, Bursa Shqiptare ka rritur sigurinë e furnizimit me energji dhe transparencën duke reflektuar të gjitha sezonalitetet në lidhje me sinjalet e çmimeve për tregun.

“Bursa ka implementuar modele të synuara europiane, në akte rregullative europiane fjala kryesore është transparenca. Gjithashtu garanton sigurinë e garantimit në tregun e energjisë elektrike” deklaroi Dishnica.

Në një kohë kur siguria e energjisë është bërë një çështje parësore, ndaj rritjes së konsiderueshme të çmimeve, paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë të furnizimit me energji, ALPEX është një instrument eficient për të blerë energji me çmime të stabilizuara, në mënyrë transparente dhe nëpërmjet mekanizmave të drejtë të tregut.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme