Bankat shqiptare, 217 miliardë lekë kredi për biznesin në 2023

Ekonomi | 3 vite më parë

Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, kredia e re për biznesin u rrit me 16% krahasuar me vitin 2022. Në shifra absolute shënohen 217 miliardë lekë kredi. 

Mes sektorëve me peshë të konsiderueshme, rritjen më të lartë e shënuan aktivitetit e pasurive të paluajtshme, transporti dhe tregtia.

Tregtia ngelet dominuese në strukturën e kredisë për ekonominë, me pothuajse 37% të volumit total të disbursimeve të reja. Në vlerë, kredia e re për tregtinë në 2023 arriti në 80 miliardë lekë, në rritje me 27% krahasuar me vitin 2022.

Sektori i dytë më i kredituar i ekonomisë edhe vitin e kaluar ishte ndërtimi, me një vlerë kredie të re prej 39.6 miliardë lekësh, ose sa 18.2% i totalit. Kredia për ndërtimin megjithatë u rrit me ritme më të ngadalta, 6.7% më shumë krahasuar me vitin 2022.

Sektori i tretë më i kredituar i ekonomisë ishte industria përpunuese, me 24.8 miliardë lekë, ose sa 11.4% e totalit. Kredia e re për industrinë përpunuese u rrit me 17% krahasuar me vitin 2022.

Rritje të lartë të kreditimit shënoi sektori i aktivitetit të pasurive të paluajtshme, me 164% krahasuar me vitin 2022 dhe ai i transportit dhe magazinimit, me 88% më shumë.

Një sektor që pësoi rënie të ndjeshme të kreditimit vitin e kaluar ishte i energjisë elektrike, me 32% më pak krahasuar me vitin 2022.

Sektori i bujqësisë edhe vitin e kaluar shënoi kreditim në vlera modeste, me 2.7 miliardë lekë në total, me një rritje prej 5.6% krahasuar me një vit më parë. Kreditimi i bujqësisë nuk po arrin të ndonjë hov domethënës, pavarësisht aplikimit të skemave të ndryshme të lehtësimit të financimit dhe diskutimeve të herëpashershme rreth nevojës për të rritur mbështetjen e këtij sektori me hua.

Në përgjithësi, të dhënat e kredisë së re përputhen me tendencat ekonomike të viteve të fundit, që tregojnë një rritje të peshës të sektorit të pasurive të paluajtshme dhe shërbimeve në ekonomi. 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme