Bimët medicinale në Malësi të Madhe, po shikohet mundësia e subvencionimit nga Ministria

Ekonomi | 3 vite më parë

Fermerët që kultivojnë bimë mjekësore dhe aromatike në Malësi të Madhe ankohen se prodhimi ka mbetur stok. Fermeri Gjovalin Kastrati tregon se ka të magazinuara rreth 120 tone sherebelë të pa shitur.

“Kam 120 ton mall, që më ka ngelur këtu. Për ta prodhuar këtë mall më është dashur kosto dhe shpenzime”, shprehet Kastrati.

Ndërkohë kreu i Bashkisë Malësi e Madhe Tonin Marinaj thotë për RTSH-në se ndikim ka patur rënia e çmimit të dollarit, duke qenë produkti blihet nga biznesmenë dhe eksportohet në tregjet e SHBA.

“Rënia e dollarit ka krijuar një problem. Ky fenomen ka ndodhur edhe para disa vitesh, pra ka rënë çmimi në mënyrë ekstreme. Kemi negociuar edhe me Ministrinë e Bujqësisë përsa i përket subvencioneve, për këtë vit, qoftë për naftë ashtu edhe për bimët. Ndaj po shikohet mundësia dhe për t’i mbështetur këto fermerë me anë të subvencioneve”, shprehet Marinaj.

Zona e Malësisë së Madhe është prodhuesja më e madhe bimëve aromatike dhe medicinale në gjithë vendin. Kulturat kryesore qe kultivohen janë sherbela, lavandula, rigoni, helikrisumi apo makthi i butë.

Gazetar: Mirsad Rakaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme