BERZH: Ballkanit i duhen 40-70 vite të mbyllë hendekun që ekziston me BE-në

Ekonomi | 3 vite më parë

Presidentja e BERZH, Odile Renaud-Basso ka vlerësuar bashkëpunimin dhe rritjen e investimeve në Ballkanin Perëndimor duke shtuar se “se ky rajon ka arritur nivele të reja pjekurie dhe stabiliteti”.

Sipas saj rritja e bashkëpunimit është një nga arritjet më të mëdha të rajonit duke pasur parasysh edhe të kaluarën e saj të trazuar. Megjithatë, shtoi Renaud-Basso, Ballkanit Perëndimor i duhen edhe 40-70 vite për të mbyllur hendekun që ekziston mes rajonit dhe BE-së.

“Rajoni ka bërë një rrugë të gjatë në dekadën e fundit, por ka ende një hendek të madh midis tij dhe Bashkimit Evropian. Sipas një studimi të ri të BERZH-it mbi konvergjencën e tij me standardet e jetesës së BE-së, mund të duhen nga 40 deri në 70 vjet – ose edhe më shumë – për të mbyllur këtë hendek. Në mënyrë kritike, për të përshpejtuar konvergjencën, ne duhet të kombinojmë financimin tonë me kapitalin privat. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të zhbllokuar më shumë investime në rajon”, tha Odile Renaud-Basso gjatë Samitit të Investimeve në Ballkan që u zhvillua në Londër.

Për presidenten e BERZH, rajoni duhet të fokusohet në tre prioritete që ka të bëjë me energjinë e rinovueshme, luftën ndaj korrupsionit dhe dixhitalizimit si dhe të ndjek politika të hapura ndaj tregtisë dhe investimeve.

“Së pari , vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përshpejtojnë tranzicionin e tyre të gjelbër. Investimet e mëtejshme në energjinë e rinovueshme, si dhe në rrjetet e energjisë elektrike dhe efikasitet më të madh të energjisë, do të ndihmonin në forcimin e qëndrueshmërisë së rajonit ndaj goditjeve të ardhshme të energjisë dhe konkurrencës së tij ekonomike. Ne jemi vërtet të kënaqur me rezultatet që Shqipëria dhe Serbia , veçanërisht, kanë arritur në drejtim të sigurimit të energjisë me çmime konkuruese dhe tërheqjes së investitorëve ndërkombëtarë me përvojë.

Së dyti , standardet e qeverisjes publike duhet të përmirësohen, duke reformuar ndërmarrjet shtetërore, duke luftuar korrupsionin dhe duke përdorur teknologjinë dixhitale. Këto reforma janë kyçe për të rrënjosur besimin, për të mbrojtur stabilitetin ekonomik dhe për të tërhequr investime të huaja.

Së treti , rajoni duhet të jetë edhe më i hapur ndaj tregtisë dhe investimeve. Integrimi më i thellë në zinxhirët e vlerës globale është çelësi për përmirësimin e konkurrencës dhe inovacionit. Në një kohë të tendencave dhe sfidave të reja në globalizim, ka mundësi që vendet e Ballkanit Perëndimor – me afërsinë e tyre me tregjet e BE-së dhe avantazhet e tyre konkurruese – mund t’i shfrytëzojnë me kornizat e duhura”, tha ajo.

Në fund Odile Renaud-Basso tha se “BERZH ka qenë dhe do të jetë një partner i fortë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët tanë të BE-së në këtë axhendë reformash.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme