Prokurimet publike, qeveria harton një projektligj me ndryshime

Ekonomi | 3 vite më parë

Komisionet parlamentare nisin me 5 shkurt diskutimet për ndryshimet në ligjin për prokurimet publike. 

Projektligji i hartuar nga qeveria ka parashikuar disa ndryshime që sjellin  risi në disa drejtime. 

Parashikohet për herë të parë koncepti i veprimtarisë ndihmëse dhe ofruesit të shërbimit të prokurimit. 

Drafti i propozuar nga Këshilli i Ministrave gjithashtu shfuqizon llojin te procedurës së prokurimit “Shërbim Konsulence”, ndërsa parashikohet edhe mundësinë që ministria përgjegjëse për financat të propozojë vendosjen e një mase shpërblimi për punonjësit e autoriteteve ose enteve kontraktore ose punonjësit e tjerë, që përfshihen në procesin e prokurimit. 

Sipas projektligjit Qeveria parashikon që të ketë një ofrues të shërbimit të prokurimit. 

Sipas draftit ai mund të jetë subjekt publik ose privat, i cili mund të kontraktohet nga autoriteti ose enti kontraktor me qëllim realizimin e një veprimtarie ndihmëse për prokurimin publik. 

Pra, një institucion shtetëror që ka për të kryer një procedurë prokurimi publikimi mund të mos angazhohet drejtpërdrejt në zhvillimin e tenderit t’ia ngarkojë tashmë edhe kompanive private. Kjo do të ofrohet kundrejt një tarife të rënë dakord paraprakisht. 

Në draft parashikohet  gjithashtu përjashtimi nga zbatimi i ligjit  për prokurimin e mallrave/punëve/shërbimeve me vlerë nën kufirin e lartë monetar për nevojat e secilit mision diplomatik dhe post konsullor të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit. 

Një tjetër pikë që ndryshon në ligj është ajo për institucionet e vogla apo që kanë më pak se 15 punonjës tenderët e të cilëve nëse nuk janë blerje të vogla zhvillohen nga autoritetet eprore.

Gazetare Amela Koçerri

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme