Ministri Mete: Kemi ulur borxhin, jemi përmirësuar në vlerësimin e Standard & Poor’s

Ministri i Financave, Ervin Mete gjatë pritjes së organizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), ka theksuar se vendi ynë ka pasur një vit të mirë në 2023-shin dhe se Shqipëria po kalon një moment të mirë ekonomik, pasi ishte edhe një nga ekonomitë më të qëndrueshme në rajon.
“Kemi pasur lajme të mira në fund të vitit. Kemi ulur borxhin në masë të konsiderueshme e jemi përmirësuar në vlerësimin e Standard & Poor’s, si edhe kemi dalë edhe nga lista gri. Të dyja këto kanë ndihmuar klimën e biznesit dhe projeksionet që ne kemi janë të forta për periudhën afatmesme duke u bazuar në sektorë si turizmi p.sh., të cilët kanë pasur një vit të mrekullueshëm vjet dhe ajo që pritet është që të ketë përmirësim edhe në 2024.”, tha Mete.
Sipas kreut të financave, mbetet ende për të bërë më shumë kur bie fjala për produktivitetin, apo për një klimë më të mirë biznesi.
“Ashtu siç u theksua edhe nga sondazhi juaj, për të cilin kemi folur para dy muajsh, pra kapitali njerëzor doli një nga ato fusha në të cilat ne duhet të përqendrohemi dhe do të përqendrohemi. Do të përqendrohemi edhe te infrastruktura, por edhe në aspekte të produktivitetit, të cilat ndihmojnë klimën e biznesit.”, tha Mete.
Gjatë fjalës së tij, ministri nënvizoi se janë disa platforma shumë të mira ku shkëmbehen idetë, mendimet.
“Kemi Këshillin e Investimeve ku kemi pasur disa takime do nënvizoja shumë frytdhënëse, kemi edhe Këshillin Ekonomik Kombëtar dhe shumë shpejt Ministria e Financave do rigjallërojë dhe Këshillin për taksat e tatimet, administratën tatimore, e cila është ndër ato fusha për të cilën ne mund të bashkëpunojmë më shumë.”, theksoi Mete në takim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




