Sejko dhe Ibrahimaj takim me eksportuesit: Tregu valutor funksionon normalisht!

Ekonomi | 4 vite më parë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u takuan të hënën me përfaqësues të shoqatave të bizneseve eksportuese, për të diskutuar mbi shqetësimet e ngritura nga ata lidhur me forcimin e kursit të këmbimit të lekut ndaj monedhës euro.

Guvernatori Sejko theksoi se, Shqipëria prej shumë vitesh ndjek një regjim të lirë kursi këmbimi. Në zbatim të këtij regjimi, Banka e Shqipërisë nuk targeton një nivel të caktuar të kursit të këmbimit, e megjithatë i kushton një vëmendje të veçantë ecurisë së tij.

Për sa i përket trendit forcues të monedhës vendase, sipas analizave të kryera, Banka e Shqipërisë gjykon se, ky pasqyron përmirësimet strukturore të ekonomisë dhe të tregjeve financiare shqiptare, të shfaqura këto në forcimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe në rritjen e besimit të publikut në monedhën kombëtare.

Gjithashtu Guvernatori shtoi se, tregu valutor ka funksionuar normalisht gjatë dy viteve të fundit, duke mos shfaqur çrregullime apo fenomene spekulative çka sugjeron se forcimi i kursit të këmbimit të lekut është një fenomen i përcaktuar nga ekonomia reale dhe jo nga tregu financiar.

Forcimi i kursit të këmbimit ka ndihmuar qëndrueshmërinë e bilanceve financiare të kredimarrësve në valutë, duke pasur një efekt direkt pozitiv në nivelin e kredive me probleme dhe në stabilitetin financiar të vendit.

Gjithashtu, ky forcim nuk ka cenuar rritjen e eksporteve shqiptare përkundrazi, ai ka ndihmuar në kontrollin e inflacionit në vend, i cili ka qenë dhe mbetet më i ulëti në rajon, duke ndihmuar në ruajtjen e fuqisë blerëse të familjeve shqiptare.

Si rrjedhojë, Shqipëria pati një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike në rajon gjatë vitit 2022.

Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet në vazhdimësi e angazhuar të krijojë një ambient monetar e financiar sa më të sigurt, të qëndrueshëm dhe transparent, në interes të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë.

Banka e Shqipërisë i ftoi eksportuesit të jenë vazhdimisht të kujdesshëm në strategjitë dhe planet e tyre të biznesit, si dhe të bashkëpunojnë sa më ngushtë me industrinë financiare, e cila ofron instrumentet e duhura për t’u mbrojtur ndaj këtyre rreziqeve.

“Sektori ynë bankar ofron prej kohësh instrumentin e kontratave të së ardhmes, të cilat ofrojnë mbrojtje ndaj lëvizjeve të forta dhe të padëshirueshëm të kursit të kursit të këmbimit. Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme për t’ju ndihmuar me trajnime dhe ekspertizë për përdorimin e këtyre instrumenteve”, u shpreh guvernatori Sejko.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e shoqatave të bizneseve eksportuese vlerësuan zhvillimin e këtij takimi si mjaft të frytshëm dhe reagimin e shpejtë të Bankës së Shqipërisë dhe MFE për shqetësimet e ngritura nga ata.

Ata u shprehën se kërkesat e tyre iu janë adresuar të dy institucioneve për të vlerësuar mundësitë e bashkëpunimit dhe ndihmesës në kushtet e krijuara për këtë grup interesi. Ndërkohë vetë këto industri kanë filluar të marrin masa për të zvogëluar impaktin që ka nënçmimi i monedhës euro në ecurinë e biznesit të tyre.

Të dy institucionet (BSH-MFE) mbeten të angazhuara për të ndjekur dhe monitoruar me kujdes situatën me kursin e këmbimit dhe ndikimin e tij në sektorin e eksportit.

Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta për të lehtësuar situatën nga ana fiskale si dhe bashkëpunimin me sistemin bankar.

Palët u dakordësuan për zhvillimin e një takimi të përbashkët me këto shoqata dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave për të vlerësuar situatën dhe për të parë mundësitë e mbështetjes së mëtejshme.

 

/ rtsh. al /

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme