Hap i rëndësishëm për Terminalin e Vlorës

Ekonomi | 4 vite më parë

Hidhet një hap tjetër i rëndësishëm në funksionimin e terminalit të Vlorës, që pritet të ndërlidhet me infrastrukturën ekzistuese të gazit natyror në Korridorin Jugor të Gazit të Evropës. Amerikanët nënshktruajnë marrëveshje 10 vjeçare me bullgarët.

Kompania amerikane “Excelerate Energy” dhe kompania bullgare  “Overgas” njoftuan se nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi në Sofje, Bullgari në lidhje me shitjen e gazit natyror të lëngshëm të rigazifikuar,  në rrjedhën e poshtme të terminalit të Vlorës. 

Sipas këtij memorandumi, të dy palët do të hyjnë në një negociatë që “Overgas” të blejë deri në 1.0 miliardë metra kub gaz të lëngshëm (LNG) të rigazifikuar çdo vit, për dhjetë vjet, nga “Excelerate” (ose një subjekt i lidhur) nëpërmjet Terminalit të Vlorës dhe Gazsjellësit të propozuar Vlorë-Fier, i cili pritet të ndërlidhet me infrastrukturën ekzistuese të gazit natyror në Korridorin Jugor të Gazit të Evropës. 

Memorandumi i Mirëkuptimit zgjeron objektin e projektit të Terminalit të Vlorës të “Excelerate” për të përfshirë shitjet e rrjedhës së poshtme të gazit të lëngshëm të naftës të rigazifikuar në Evropë dhe ka potencialin të sjellë diversifikimin e furnizimit shumë të nevojshëm jo vetëm në Bullgari, por edhe në vendet fqinje në rajon.

Oliver Simpson, Zëvendës President Tregtar i Excelerate, tha se “Për shumë vende në Korridorin Jugor të Gazit të Evropës, aksesi fleksibël në gazin e lëngshëm të naftës mbetet thelbësor për të garantuar sigurinë e tyre energjetike. Projektet e integruara të LNG-së, si Terminali i Vlorës, janë një zgjidhje logjike për plotësimin e nevojave urgjente energjetike të Bullgarisë dhe vendeve të tjera ballkanike dhe evropiane të lidhura me Korridorin Jugor të Gazit. Ne mezi presim të punojmë me Overgas dhe besojmë se kjo marrëveshje është e para nga disa që do të adresojë mungesën e diversitetit të furnizimit në rajon.”

Svetoslav Ivanov, Drejtor Ekzekutiv i Overgas nga ana e tij tha se “Ne jemi të ngazëllyer që fillojmë të punojmë me një lider në industri si Excelerate. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një shembull fenomenal i përparimit të BE-së drejt diversifikimit të energjisë dhe sigurisë energjetike në Union, dhe veçanërisht në Ballkan”.

Sipas njoftimit zyrtar, kjo marrëveshje vjen pas marrëveshjeve të mëparshme të bashkëpunimit midis “Excelerate”, “Snam” dhe “Albgaz” dhe midis “Overgas dhe Albgaz” për të eksploruar bashkëpunimin e mundshëm për ndërtimin e një tubacioni të gazit natyror nga Terminali i Vlorës në infrastrukturën tjetër të gazit natyror në Shqipëri. 

“Excelerate Energy, Inc.” është një kompani me bazë në SHBA e vendosur në Teksas. E themeluar në vitin 2003 nga George B. Kaiser, “Excelerate” po ndryshon mënyrën se si bota akseson forma më të pastra të energjisë duke ofruar shërbime të integruara përgjatë zinxhirit të vlerës së LNG-së me objektivin e ofrimit të zgjidhjeve të shpejta në treg dhe të besueshme të LNG për klientët. 

Ndërsa  “Overgas” është kompania më e madhe private bullgare në sektorin e gazit natyror dhe lider në zhvillimin dhe ofrimin e shërbimeve infrastrukturore në fushën e gazifikimit në veçanti, e themeluar në vitin 1992. Overgas Inc. AD është furnizuesi dhe tregtari më i madh i pavarur i gazit natyror në treg. 

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme