Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri paralajmëron: Tërhiquni nga amnistia financiare! Rrezikon procesin e anëtarësimit në BE!

Ekonomi | 4 vite më parë

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) vëren shqetësime serioze mbi draft-ligjin për amnistinë fiskale, të propozuar së fundmi nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, bën të ditur ajo në një deklaratë të shpërndarë të mërkurën. 

Sipas saj ndryshimet në aktin e ri nuk janë aq thelbësore për të shmangu rreziqet që paralajmërojnë partnerë ndërkombëtarë, si FMN-ja dhe Komisioni Evropian. 

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, bazuar në opinionin teknik të ekspertëve të Komiteteve vlerëson se dispozitat e këtij projektligji nuk ofrojnë garanci që individë me aktivitete kriminale serioze si droga, trafiku i qënieve njerëzore, pastrimi i parave janë të përjashtuar nga amnistia. 

DHAT në Shqipëri parashikon se zbatimi i amnistisë do të sjellë konkurrencë të pandershme, duke favorizuar individë me aktivitete të shkuara të paligjshme, nëpërmjet shmangies së pasojave të sistemit gjyqësor, investimit të fondeve nëpërmjet kanaleve jo të ligjshme në ekonominë formale, pagesës së një norme tatimore më të ulët (5-10%) në krahasim me ato të përfshira në aktivitete të ligjshme, e cila aktualisht qëndron në një normë totale 32%. Për rrjedhojë, këto situata do të ulin pajtueshmërinë tatimore në Shqipëri në të ardhmen. 

DHAT gjithashtu parashikon se pozicioni i Shqipërisë në programet e monitorimit ndërkombëtar mbi parandalimin dhe pastrimin e parave do të përkeqësohet. 

Duke qenë se Shqipëria ndodhet në listën gri të pastrimit dhe parandalimit të parave nga Moneyval, zbatimi i kësaj amnistie në këto momente kur Shqipëria ende po punon për rritjen dhe forcimin e strukturave monitoruese do të sjellë një stuhi të ekonomisë informale. 

Shqetësimi ynë kryesor, shprehet  Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, është se miratimi i këtij projektligji do të rrezikonte pozitën zyrtare të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke rrezikuar procesin e anëtarësimit në BE. 

Prandaj, nëse ky draft nuk merr mbështetjen publike të partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë garanci publike nga organizatat monitoruese si Moneyval, FMN etj, Dhoma gjykon se kjo iniciativë do të jetë një hap në drejtim të gabuar, gjë që do të dëmtonte reputacionin e vendit për të bërë biznes me partnerët ndërkombëtarë dhe do të ulte mundësinë për të tërhequr investime të huaja në vend. 

Si konkluzion, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri shprehet se rreziqet e projektligjit të ri tejkalojnë ndjeshëm përfitimet e tij dhe rekomandon tërheqjen e kësaj nisme. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme