A po shkojmë drejt luftës? Gazetari Bardhi Quku: Ky është vendi që mund ta çojë Ballkanin në konflikt

Gazetari Bardhi Quku është shprehur në emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH 1 se pika delikate në rajonin e Ballkanit që mund të çojë në destabilitet është Republika Srpska e cila rrezikon të shkëputet nga Bosnje Hercegovina dhe t’i bashkohet Serbisë.
Sipas Qukut, më shumë se sa veriu i Kosovës Republika Srpska në Bosnje-Hercegovinë është ajo që mund të përdoret për të prodhuar konflikte në Ballkan nga ana e Serbisë.
Ai vuri në dukje se Serbia e ka të vështirë të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë pasi kjo do ta çonte atë në një përplasje direkte me forcat e KFOR-it.
Gazetari Quku shtoi se kjo ka bërë që Serbia të synojë krijimin e një “Republika Srpska” në veriun e Kosovës përmes Acosacionit të Komunave serbe që më pas ta përdorur si shkak për konflikte.
“Veriu i Kosovës mbetet pika delikate sa i përket sigurisë apo një skenari që mund të nxitet nga Moska dhe më pas Serbia të ndërhyjë në Kosovë. Por është e vështirë për shkak të marrëveshjes së NATO-s me Serbinë.
Kjo do të ishte përplasje direkte me forcat e KFOR-it të dërguara nga NATO në Kosovë. Por ajo që shihet më problematike është Republika Srpska e cila mund të krijojë një lloj destabiliteti duke u shkëputur për t’iu bashkuar Serbisë ashtu siç janë përfolur shumë skenarë të tillë.
Më shumë se sa veriu i Kosovës është Republika Srpska ajo që mbetet problem në rajonin e Ballkanit. Në veriun e Kosovës, Serbia kërkon të ndërtojë një Republika Srpska që ta përdorë si shkak qoftë edhe për ndërhyrje ushtarake”, theksoi Quku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




