Abuzimi seksual me 11-vjeçaren në Kosovë, ministrja Kushi: Askush të mos qëndrojë indiferent

Ngjarja e rëndë në Kosovë ku një e mitur u abuzua seksualisht nga 5 persona ka sjellë edhe reagimin e ministres së Arsimit në Shqipëri, Evis Kushi.
Ministrja bën apel që në këtë ngjarje të rëndë askush të mos rrijë indiferent dhe se shoqëria ka nevojë për një lëvizje të madhe dhe edukim për të parandaluar që ngjarje të tilla të ndodhin në të ardhmen.
“Një ngjarje për të cilën duhet të mbajë përgjegjësi dhe të reflektojë e gjithë shoqëria. Akti i rëndë me 11-vjeçaren në Kosovë ka tronditur thellë secilin prej nesh, por edhe themelet dhe vlerat e shoqërisë. Edhe pse në reagimin e menjëhershëm të gjithë kërkojmë dënimin e merituar për fajtorët, kaq nuk mjafton. Është po kaq emergjente edhe identifikimi i shkaqeve dhe fajtorëve të tjerë, përtej dhunuesve të dukshëm, mes të cilëve edhe të mitur ndoshta të pavetëdijshëm për makabritetin e krimit që kryejnë.
Zgjidhja nuk është vetëm dënimi i fajtorëve, por parandalimi dhe edukimi i një shoqërie të tërë. Informacioni i plotë për rreziqet që u kanosen fëmijëve dhe edukimi që në moshë të hershme kundër dhunës së çdo forme, respekti për njëri-tjetrin, për shokun, për shoqen, por veçanërisht për të miturit duhet të jetë prioritet absolut në shkollë, familje dhe shoqëri. Ky është apel për një lëvizje shumë të madhe shoqërore, ku askush nuk duhet të qëndrojë indiferent dhe gjithsecili mund dhe duhet të japë kontribut. Jeta, shëndeti, mirëqenia dhe siguria e fëmijëve janë prioriteti absolut i çdo shoqërie!”, shkroi Kushi.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Prishtinë ku 11-vjeçarja është abuzuar seksualisht për disa orë nga 5 persona. Më 29 gusht, Policia e Kosovës njofton se një e mitur ka raportuar se 5 persona kanë abuzuar seksualisht më të prej disa orësh. Policia ka lënë në burg 4 prej të dyshuarve, ndërsa një tjetër u dorëzua në polici nga familjarët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




