Gjykata Administrative zhbllokon pagat e magjistratëve, Rama: Dyert e Thesarit hapen vetëm nga Kuvendi, vendimi më 17 shtator

Aktualitet | 2 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative, e cila zhbllokoi pagat për Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe Gjykatën e Durrësit.

Në një reagim në rrjetin social X, Rama ka kritikuar vendimin e gjykatës, duke vënë në pikëpyetje shpejtësinë me të cilën është marrë masa dhe duke pretenduar se vendimi lidhet me rritjen e pagave të gjyqtarëve.

“Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysëm rroge gjykatësve”.-shkruan Rama.

Rama siguroi se dyert e Thesarit të Shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator.

Më tej ai e cilësoi vendimin si “tejet turbullues”, duke argumentuar se gjykata ka marrë një masë që nuk ndalon ekzekutimin e një akti, por e nxit atë për një interes vetjak.

Rama theksoi se ndërkohë mijëra dosje të qytetarëve presin prej vitesh në sirtarët e gjykatës, ky vendim u mor “sa hap e mbyll sytë” për çështjen e pagave të gjyqtarëve.

Kryeministri u ndal edhe tek aspekti institucional, duke theksuar se “dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ” dhe se Kuvendi i Shqipërisë do të marrë vendimin e tij më 17 shtator, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Rama publikoi edhe një tabelë bashkëngjitur me kërkesat financiare të gjykatës, duke e cilësuar si një tentativë për të hapur fondet pa kaluar në Parlament.

““Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cënon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!”, shkruan kryeministri.

Rama i është referuar gjithashtu tabelës së bashkëngjitur me kërkesat financiare, duke theksuar se, sipas tij, Gjykata Administrative po kërkon hapjen e fondeve nga thesari i shtetit pa kaluar më parë për miratim në Kuvend.

“Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator”, përfundon Rama

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme