Ahmetaj: Integrimi i rajonit thelbësore për sigurinë! Ministri i Jashtëm polak: Mbështesim Shqipërinë për anëtarësim në BE

Politikë | 4 vite më parë

Integrimi i Shqipërisë në BE, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, situata në Ukrainë dhe ndikimi i luftës në Europë kanë qenë disa nga temat e diskutimit mes zv.kryeminisrit Arben Ahmetaj dhe ministrit të Jashtëm të Polonisë Zbigniew Rau. Të dy theksuan se integrimi euroatlantik i rajonit të Ballkanit Perëndimor është thelbësore për sigurinë dhe paqen në Europë.

Ahmetaj falënderoi mbështetjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë për integrimin në BE.

“Është kënaqësi për mua dhe në emër të kryeministrit Rama pata mundësinë të pres ministrin e Jashtëm të Polonisë. Kryesia polake e OSBE përkon me një periudhë shumë të vështirë, për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës. Roli i Shqipërisë ka qenë i gjithanshëm dhe i vlerësuar, në kuadër të Këshillit të Sigurimit të OKB,  NATO dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Ne kemi bërë thirrje për të ndaluar me çdo kusht luftën në Ukrainë. Lufta heroike e Ukrainës është një luftë për paqe dhe sigurinë në kontinentin europian. Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit dhe roli ynë është i rëndësishëm këtë muaj që Shqipëria mban presidencën e Këshillit të Sigurimit. Sot diskutuam edhe për zhvillimet në rajonin tonë. E falënderova ministrin për rëndësinë që Polonia i ka dhënë vendit tonë. Integrimi euroatlantik mbetet një orientim i pazëvendësueshëm për të gjithë vendet e rajonit që mund të sigurojë siguri dhe paqe për vendet tona”, tha Ahmetaj.

Edhe ministri i Jashtëm i Polonisë, Zbigniew Rau tha se mbështet integrimin e Shqipërisë në BE, ndërsa vlerësoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve.

“E përgëzoj Shqipërinë për hapat që ka marrë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tani më shumë se kurrë na duhet solidaritet dhe përpjekje për të ruajtur angazhimet thelbësore të OSBE. Jam i lumtur të theksoj se Shqipëria është tërësisht e angazhuar për të ruajtur efikasitetin e OSBE-së. Jam i nderuar dhe theksoj jashtëzakonisht marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona. Polonia mbështet aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Kemi diskutuar me Ahmetaj se si të forcojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin tonë dy palësh”, tha Rau.

Më herët ministri i Jashtëm polak zhvilloi një takim dhe me presidentin Ilir Meta, ku u vlerësua forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve. Ministrin polak Zbigniew Rau ka nisur një tur në Ballkan, ku ndalesën e parë e ka bërë në Shqipëri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme