Aksident masiv në SHBA, përplasen 69 automjete në autostradë, shkak mjegulla e dendur

Amerikë | 1 orë më parë

Një aksident masiv me 69 automjete ka paralizuar korsitë në drejtim të jugut të autostradës Interstate 95 në Karolinën e Jugut, SHBA. Përplasja e shumëfishtë ndodhi të enjten në mëngjes, në një urë mbi liqenin Marion, mes qarqeve Clarendon dhe Orangeburg, në një moment kur zona ishte përfshirë nga një mjegull e dendur që reduktoi ndjeshëm fushëpamjen e drejtuesve.

Sipas autoriteteve të zjarrfikësve të Santee, mjegulla ishte aq e dendur sa drejtuesit e mjeteve nuk patën kohë të reagonin dhe të frenonin përpara se të përplaseshin me njëri-tjetrin.

Autoritetet bëjnë me dije se në urë ndodheshin 92 automjete, ndërsa 69 prej tyre u përfshinë në aksident. Mes mjeteve të përfshira ishin 15 kamionë të rëndë me 18 rrota dhe 54 automjete të tjera.

Ekipet e emergjencës që mbërritën në vendngjarje u përballën me një skenë kaotike. Disa kamionë ishin dëmtuar rëndë dhe deformuar nga përplasjet, ndërsa disa automjete kishin përfunduar të bllokuara poshtë rimorkiove të kamionëve. Ekipet e shpëtimit punuan për nxjerrjen e drejtuesve dhe pasagjerëve nga katër automjete ku njerëzit kishin mbetur të bllokuar.

Të paktën dy persona raportohet se kanë pësuar dëmtime të rënda, ndërsa disa të tjerë morën trajtim mjekësor për plagë më të lehta. Një prej të plagosurve u transportua me helikopter drejt spitalit, ndërsa gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë ende e ditur.

Për drejtuesit e mjeteve që ndodheshin në atë pjesë të autostradës, aksidenti ndodhi në pak çaste dhe shkaktoi një zinxhir përplasjesh. Noah Mandel po udhëtonte me familjen e tij nga Virxhinia drejt parkut “Walt Disney World”, kur automjeti i tyre u përfshi në aksident.

“Ishte çmenduri; ishte një nga ato gjëra që nuk mendon kurrë se do të të ndodhin ty”, tha Mandel. “Mund të shihje një makinë pas nesh që filloi të nxirrte tym dhe mori flakë. Mund të shihje njerëz të tjerë përpara që kishin mbetur të bllokuar në makinat e tyre dhe të gjithë thjesht po pyesnim veten se çfarë do të bënim më pas”.

Duke iu referuar liqenit Marion që ndodhet poshtë urës, Mandel tha se mendoi edhe për mundësinë që situata të kishte përfunduar shumë më keq.
“Patjetër që më shkoi në mendje se sa me fat ishim që askush nuk përfundoi përtej barrierës, në ujë”, u shpreh ai.

Patrulla e Autostradave të Karolinës së Jugut ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e përplasjes masive.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme