Akuza e SPAK, Belinda Balluku njoftohet për “Shkelje të barazisë në tender” për Tunelin e Llogarasë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar zyrtarisht sot, më 31 tetor 2025, ngritjen e akuzës penale ndaj Ministres në detyrë të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Akuza specifike është për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, në bashkëpunim (nenet 258/2 dhe 25 i KP).
Objekti i hetimit
Njoftimi i akuzës vjen në kuadër të hetimeve paraprake të procedimit penal të vitit 2025, i bashkuar me procedimet e vitit 2024.
Faktet penale në ngarkim të ministres lidhen me veprimet e saj në cilësinë e Ministres gjatë një prej procedurave kyçe të prokurimit: “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në aksin rrugor Orikum-Himarë.
Sipas SPAK, abuzimet e pretenduara lidhen me procedurën e zhvilluar fillimisht në datën 11.12.2020 dhe më pas, pas anulimit, procedura u rihap në datën 22.06.2021, me një fond limit prej 18,967,810,952.08 Lekë pa TVSH.
Prokuroria e Posaçme njoftoi fillimisht të pandehurën përmes shkresës me numër protokolli 37398 më datë 21.10.2025. Belinda Balluku, pasi mori dijeni, njoftoi më 23.10.2025 se nuk mund të paraqitej në datën e parë të caktuar. Si rezultat, SPAK kërkoi paraqitjen e saj për sot, më 31 tetor, në orën 15:00.
Kjo paraqitje është lidhur drejtpërdrejt me njoftimin zyrtar të akuzës.
Balluku pas paraqitjes në SPAK: Jam shpresëplotë që procesi do të jetë i bazuar mbi transparencën
Zëvendëkryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një komunikimi me gazetarët, pas paraqitjes së saj në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), u shpreh se është shpresëplotë që procesi do të Jetë i bazuar mbi transparencën.
Balluku mbërriti në godinën e SPAK , ku qëndroi për rreth dy orë në lidhje me një çështje që ndodhet në hetim nga ky organ. Pas daljes, ministrja dha një deklaratë të shkurtër, duke theksuar respektin për organet e drejtësisë.
“Në respekt të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e prokurorisë së posaçme për një çështje në hetim. Si qytetare e Shqipërisë edhe zyrtare publike e shikoj si një proces, një proces si cili jam shpresëplotë që do jetë i bazuar mbi transaprencë dhe mbi parimet drejtësisë tek e cila besoj.”, tha ajo.
Ministrja nuk dha detaje shtesë mbi natyrën e çështjes për të cilën është pyetur apo dëshmuar, duke iu referuar vetëm se bëhet fjalë për një “çështje në hetim”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




