3400 aplikime për pronësinë e shtëpive të vjetra/Kadastra e Shkodrës verifikime në terren, mungon dokumentacioni

Sociale | 25 minuta më parë

Kadastra e Shkodrës ka intensifikuar verifikimet në terren për rreth 3 mijë e 400 aplikime që lidhen me shtëpitë e vjetra dhe oborret në përdorim, me fokus të veçantë në lagjet historike të qytetit.

Procesi, që synon verifikimin teknik të pronave dhe vijimin e procedurave për dokumentimin e pronësisë, por përballet edhe me disa problematika të trashëguara ndër vite  kryesisht me mungesën e dokumentacionit, si pasojë e djegies së arkivës gjatë trazirave të vitit 1997.

“Qytetarët kanë disponuar regjistrime të vjetra në regjistrat hipotekorë, të cilët janë djegur dhe rezultojnë në inventarin e regjistrave të djegur në vitin 1997. Në proceset kalimtare, ata që kanë nisur procese administrative janë pajisur me të drejtën për të rifilluar një shqyrtim administrativ për këtë çështje. Është VKM-ja nr. 827, e cila parashikon trajtimin e objekteve të vjetra, për të cilat nuk ka tituj pronësie, si dhe të oborreve në përdorim, për të cilat qytetarët aplikojnë. Ne kemi si sfidë që, brenda muajit dhjetor, të përmbyllim të gjithë këtë proces për qytetin e Shkodrës”, u shpreh Eglantina Frroku, Drejtuese e ASHK Shkodër.

Sfidat e tjera me të cilat përballet procesi i regjistrimit të pronave , sipas drejtueses së ASHK Shkodër lidhen me pamundësinë e kontaktimit me pronarët gjatë verifikimeve në terren si dhe me saktësinë e sipërfaqeve të pasqyruara në dokumentacionin e vjetër.

“Gjatë evidentimit në terren, shtëpitë ose rezultojnë të mbyllura, ose numrat e kontaktit që qytetarët kanë lënë në aplikimet e tyre janë të hershëm dhe sot janë të padisponueshëm. Një nga problematikat e tjera të procesit të regjistrimit është se pjesa më e madhe e titujve të vjetër të pronësisë kanë pasur sipërfaqe të papërcaktuar. Kështu që, në këtë proces, na duhet të mbështetemi sërish në një VKM të re për përcaktimin e sipërfaqeve, pikërisht për këto pasuri që nuk kanë një sipërfaqe të përcaktuar”, tha ajo.

Viti 2026, sipas ASHK-së Shkodër, shënon rezultatet më të larta në regjistrimin e pronave, me  mesatarisht mbi 2 mijë e 500 certifikata pronësie në muaj, ndërkohë që aplikimet për regjistrimin dhe dokumentimin e pronave janë të vazhdueshme.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme