Berisha sulmoi Qorin, Muçi: Kreu i PD u mor me të gjithë faktorët që e kanë delegjitimuar atë
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, komentoi deklaratat e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me protestat e zhvilluara muajt e fundit, duke theksuar se sulmet e tij nuk ishin të drejtuara ekskluzivisht ndaj Lëvizjes Bashkë, por ndaj të gjithë aktorëve që, sipas tij, kanë ndikuar në delegjitimimin e Berishës dhe PD-së brenda protestës.
I ftuar në emisionin “3D” me Alban Dudushin, Muçi u shpreh se reagimi i Berishës lidhet me perceptimin e tij se po humbet ndikimin politik.
“Unë mendoj se ai e ndjen që sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë defaktorizohet dhe aq më shumë i humbet retorika,” tha Muçi.
Sipas deputetit të Lëvizjes Bashkë, sloganet dhe qëndrimet kritike ndaj klasës politike nuk janë produkt i një grupi të vogël aktivistësh, por reflektojnë një ndjenjë më të gjerë qytetare.
“Thirrja ‘Rama në burg, Berisha në burg’ nuk është e iniciuar apo e nxitur vetëm nga Lëvizja Bashkë, por është një frymë e përgjithshme e protestuesve, e studentëve dhe e të gjithë atyre që dalin dhe protestojnë,” deklaroi ai.
Muçi kujtoi se në fillim të protestave kishte akuza se ato po nxiteshin nga qeveria, ndërsa më pas, sipas tij, qëndrimi i opozitës ndryshoi.
“Në javët e para thuhej se këta i nxit Edi Rama. Më pas u tha se protesta ka legjitimitet dhe duhet të rrëzojë Ramën,” tha deputeti.
Duke komentuar kritikat e Berishës, Muçi theksoi se kreu demokrat nuk sulmoi vetëm Lëvizjen Bashkë, por një sërë grupesh dhe individësh të përfshirë në protestë.
“Berisha u mor me të gjithë faktorët kryesorë që kanë mbajtur protestën në këto 135 ditë. Jo vetëm me Lëvizjen Bashkë, por edhe me grupin e mikrofonit, me grupin e flamingove dhe me aktorë të tjerë të protestës,” u shpreh ai.
Në vijim, Muçi argumentoi se sulmi kishte një objektiv më të gjerë politik.
“Berisha u mor me të gjithë të tjerët që kanë protestë dhe që kanë delegjitimuar atë individualisht si lider i PD-së dhe PD-në si pjesë të protestës. Ky ishte sulmi i Berishës. Nuk ishte vetëm ndaj Lëvizjes Bashkë,” deklaroi deputeti.
Në përfundim, deputeti i Lëvizjes Bashkë vlerësoi se reagimi i Berishës ishte i pritshëm, pasi sipas tij kreu i opozitës kërkonte t’u përgjigjej kritikave dhe problematikave që kishin shoqëruar protestat gjatë muajve të fundit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



