Akuza për korrupsion/ 2 vite e 8 muaj burg për Joana Duron, pas hekurave dhe 3 persona të tjerë

GJKKO vendosi dënimin me 2 vite e 8 muaj burg, ish-sekretaren e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duron, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim.
Vendimi ndaj Duros ishte 4 vite heqje lirie, por me uljen e dënimit me 1/3, ish-sekretarja e MSH u dënua përfundimisht me 2 vite e 8 muaj burg, dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Po ashtu, për ish-specialisten e nivelit të lartë në MSHMS, Laura Shteto, Vladimir Topin dhe inxhinierin Silvi Shehin, GJKKO, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj, vendosi dënimin me 8 muaj burg.
Sipas vendimit të GJKKO-së, shuma prej 330 mijë lekësh që iu konfiskua Joana Duros, do kalojë në favor të shtetit.
Vladimir Topi dhe inxhinieri i kompanisë Silvi Shehi dyshohet se janë personat që ndërhynë duke i dhënë Joana Duros, 330 mijë lekë ryshfet që ajo të ndikonte për t’i shpallur fitues në tenderin për rikonstruktimin e qendrave shëndetësore.
Sipas SPAK, Joana Duro do të ndërhynte në garë për tenderin për rikostruksionin e disa qendrave shëndetësore.
Njoftimi i Plotë:
- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurve L.Sh, V.T dhe S.Sh akuzuar për figurën e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245 e 25 i Kodit Penal, si dhe në ngarkim të të pandehurës J.D akuzuar për figurën e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
- Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj, bazuar në nenet 112, 190, 390 dhe 406 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 75, datë 13.11.2023 vendosi:
- Deklarimin fajtor të të pandehurës J.D, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 4 (katër) vjet burgim.
- Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën J.D me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
- Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurën J.D për 5 (pesë) vjet.
- Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurën J.D do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit të saj dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
- Deklarimin fajtor të të pandehurës L.Sh, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245 e 25 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 1 (një) vit burgim.
- Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën L.Sh me 8 (tetë) muaj burgim.
- Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurën L.Sh do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit të saj dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit V.T, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245 e 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
- Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin V.T me 8 (tetë) muaj burgim.
- Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin V.T do të fillojë të llogaritet nga dita e ndalimit të tij dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit S.Sh, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245 e 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
- Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin S.Sh me 8 (tetë) muaj burgim.
- Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin S.Sh do të fillojë të llogaritet nga dita e ndalimit të tij dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
- Lidhur me provat materiale, sipas akteve që ndodhen në fashikullin e gjykimit, në respektim të nenit 36 të Kodit Penal dhe 190 të Kodit të Procedurës Penale:
– 1 (një) celular i markës Samsung “Note 20 Ultra” me nr. IMEI (slot 1) ************ dhe nr. IMEI (slot 2) *************, të mbetet pjesë e fashikullit të gjykimit, për efekt të procedimit penal të ndarë.
– Shuma monetare në vlerën 330, 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë, të konfiskuara të pandehurës J.D, të kalojë në favor të shtetit.
- Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, seancës paraprake dhe gjatë gjykimit, i’u ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
- Kundër vendimit lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




