Akuzat penale në Kuvend, Rama: Çdo deputet para komisionit që t’i faktojë, ndryshe përjashtohet!

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi të enjten në Kuvend se do t’i kërkojë zyrtarisht Kryetares së Kuvendit, që çdo deputet që përdor etiketime apo akuza t’i faktojë para komisionit, në mënyrë që mos të përjashtohet nga parlamenti.
Sipas zoti Rama “gjuha kriminalizuese ndaj tjetrit është fundi”.
“T’i përsërisësh tjetrit vetëm se e ke kundërshtar politik fjalët kriminel, mafioz, hajdut është e padurueshme! Kjo nuk mund të durohet më! ” tha kryeministri Rama. “Unë do i kërkoj me shkrim kryeparlamentares që këto fjalë duhet të ballafaqohen menjëherë me atë që i nxjerr. Ai që i nxjerr duhet të shkojë para Komisionit dhe të japë shpjegime. Nëse ka informacione që nuk i ndan dot me publikun pasi thotë mafioz e kriminel duhet t’i ndajë te komisioni që mos të përjashtohet”, tha ai.
Rama tha se ka një mijë e një mënyra për të bërë debat, por këto janë akuza penale.
“Ju i jeni bashkuar një partie që për lider historik ka një person të shpallur non grata për korrupsion madhor nga SHBA. SPAK merret me individët subjekte të SPAK. Unë personalisht jam i kënaqur për këtë nuk jam i mërzitur” ju drejtua kryeministri deputetëve të opozitës.
“Natyrisht që mua më vjen shumë keq të shikoj njerëz me të cilët bashkëpunoj apo kam bashkëpunuar që të përfundojnë nën akuzë nga drejtësia. Më vjen shumë keq për këtë, por SPAK dhe këto institucione unë i kam kërkuar me ngulm të krijohen në këtë vend”, tha zoti Rama.
“Kur ka një institucion drejtësie që funksionon dhe merr nën hetim figura politike të lidhura me shumicën qeverisëse. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë nga 110 vitet që një forcë politike që qeverisë të ketë në radhët e saj persona që merren nën hetim. Ky është normalitet i ri i një sistemi demokratik ku pushtetet janë të ndara”, tha Rama.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




