Alarmi për sulm në bazën RAF Fairford, të arrestuarit dyshohen se ishin thjesht hajdutë karburanti

Europë | 45 minuta më parë

Një zhvillim i papritur ka përmbysur pistën kryesore të hetimit rreth incidentit të ndodhur pranë bazës ajrore britanike RAF Fairford, e përdorur gjithashtu nga forcat ushtarake të SHBA-së. Sipas raportimeve të mediave, pas kontrolleve të hollësishme në tre furgonët e bllokuar nuk është gjetur asnjë lëndë eksplozive apo aparat shpërthyes funksional.

Pesë personat e ndaluar që ishin nën dyshimin e kryerjes së veprave me prapavijë terroriste, të gjithë qytetarë britanikë të moshës 23 deri në 25 vjeç, janë liruar me kusht. Hetuesit gjetën brenda automjeteve fuçi bosh të destinuara për marrjen e karburantit të vjedhur, një element ky që lidhet me vjedhjet e shpeshta të “dizelit bujqësor” në atë zonë rurale.

“Le të jem i qartë: kjo nuk do të thotë që hetimi ka mbaruar. Ata që u liruan mbeten subjekt i kushteve të rrepta në lidhje me udhëtimin dhe kontaktin e tyre me të tjerët, ndërsa ne shqyrtojmë pista të shumta.”, tha Laurence Taylor, kreu i Policisë Kundër Terrorizmit në Mbretërinë e Bashkuar

Pavarësisht gjetjeve primare mbi vjedhjen e karburantit, incidenti ngriti shqetësime të nivelit të lartë diplomatik dhe të sigurisë, duke nxitur thirrjen e një mbledhjeje të njësisë britanike të reagimit ndaj krizave (Cobra) nga Kryeministri Andy Burnham.

Nga krahun tjetër të Atlantikut, zyrtarë të lartë amerikanë e trajtuan ngjarjen me seriozitet maksimal ushtarak.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi se ngjarja përbënte një situatë shumë serioze ku “është e përfshirë qartësisht dora e një aktori të huaj”.

Ambasada e Iranit në Mbretërinë e Bashkuar reagoi zyrtarisht duke mohuar kategorikisht çdo lidhje apo përfshirje të Teheranit në këtë ngjarje.

Dëshmia e fermeres dhe reagimi i qeverisë

Alarmi fillestar u dha nga një banore e zonës, e cila vuri re persona të maskuar me kapuç pranë furgonëve të parkuara pak metra larg shtëpive të banimit. Pas telefonatës së saj në numrin e urgjencës 999, trupat e armatosura të policisë mbërritën brenda pak minutave.

Dëshmitarja e ngjarjes shprehu kritika ndaj masave preventive të sigurisë, duke deklaruar se autoritetet ishin të përqendruara vetëm te mbrojtja e bazës ushtarake dhe jo te siguria e fshatit përreth.

“Jam absolutisht e habitur që më takonte mua, një qytetare e thjeshtë, ta vëreja dhe ta raportoja këtë. Besoj se thirrja ime në 999 prishi çdo plan që ata kishin në mendje.”, tha dëshmitarja nga komuniteti lokal për BBC.

Për t’u përgjigjur këtyre kritikave, Ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, kërkoi maturi në interpretime, duke e cilësuar dëshminë e fermeres si një “pamje të pjesshme të ngjarjeve” dhe konfirmoi se hetimet e policisë kundër terrorizmit vazhdojnë në rrugë zyrtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme