Alfred Balla para Kolegjit, komisioneri Publik kërkon vendimin e pushimit të hetimit ndaj tij

Vëmendja ndaj procesit të Vettingut kalon tanimë nga shkalla e parë drejt kolegjit të apelimit. Komisioni i kualifikimit është drejt fundit të mandatit dhe shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve e kanë përfunduar procesin e kontrollit.
Sot përpara 5 gjyqtarëve të kolegjit të drejtuar nga Ina Rama, doli Alfred Balla, i cili mban aktualisht postin e kryetarit të qeverisë së prokurorëve. Zoti Balla përballet me shkallën e dytë të vettingut për shkak se Komisioneri Publik ankimoi vendimin sipas të cilit ndaj Ballës ndërpritej procesi i kontrollit, proces që u krye për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët.
Komisioneri Publik ka argumentuar se vendimi i qershorit 2023 që mban numrin 675 i KPK-së, është i pambështetur në ligj, pasi Zoti Alfred Balla duhet të kontrollohej për të gjitha kriteret që kërkon ligji, meqenëse ai drejton një institucion të rëndësishëm siç është KLP. Sot në nisje të shqyrtimit gjyqësor ishte prezent prokurori ndërkombëtar Theo Jacobs dhe vetë subjekti i rivlerësimit Alfred Balla i mbështetur nga avokatja e tij.
Komisioneri publik kërkon që të shpallet vendimi i pushimit të hetimit të Alfred Ballës dhe po sipas këtij vendimi, kreu i KLP nuk mund të vijojë për 15 vitet në vijim asnjë detyrë si gjyqtar, prokuror apo anëtar i institucioneve të reja të drejtësisë.
Ndërsa avokatja mbrojtëse tha gjatë seancës se shqyrtimit gjyqësor se ankimimi i bere nga komisioneri publik nuk qëndron, duke kërkuar që të merren në konsideratë disa vendime të mëhershme që tregojnë së Balla nuk është rasti i parë i kësaj vendimmarrje.
Gazetare: S. Agostini
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




