Algjeria nën “kthetrat” e zjarreve, humbin jetën 34 persona, mes tyre 10 ushtarë

Botë | 3 vite më parë

Algjeria po lufton me zjarret që kanë përshirë  shtetin e Afrikës veriore që prej së dielës, ndërsa të paktën 34 persona, duke përfshirë 10 ushtarë, kanë humbur jetën si pasojë e flakëve.

Presidenti algjerian Abdelmadjid Taboun shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave. Ministria e Brendshme algjeriane ka thënë se 97 zjarre ishin regjistruar në 16 qarqe. 

Të nxitura nga erërat, flakët arritën në zonat e banuara në tre prefektura, ku 1500 banorë u urdhëruan të evakuohen.

Prokuroria e Përgjithshme në Bejaya ka urdhëruar një hetim paraprak për zbardhjen e shkaqeve të zjarreve dhe identifikimin e autorëve të zjarrvënieve të mundshme.

Rreth 8,000 punonjës të mbrojtjes civile dhe 525 automjete zjarrfikëse si dhe avionë e helikopterë po vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve që kanë shkatërruar me mijëra hektarë pyje dhe të mbjella. 

Algjeria po përballet me një valë të nxehti , me temperaturë që arrin 48 gradë Celsius. Me temperatura të larta po përballet edhe fqinji i saj Tunizia, ku termometri shënoi 56 gradë.

Situata e krijuar atje ka sjellë dhe ndërprerje të shpeshta të energjisë duke vështirësuar jetesën e qytetarëve.

Gazetar Artur Mata

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme