Ali Mysliu prezantohet si Prefekti i ri i Qarkut të Elbasanit

Politikë | 2 vite më parë

Zëvendës ministrja e Brendshme, Romina Kuko prezantoi këtë të premte, Prefektin e Qarkut të Elbasanit, Ali Mysliu. Gjatë fjalës së saj Kuko vlerësoi punën e bërë nga ish- prefektja, Majlinda Perriu (Peza) e cila dha dorëheqje nga kjo detyrë pak ditë më parë.

Kuko theksoi se ka ardhur koha që me fuqizimin e  rolit të prefektit, ky institucion duhet t’i përgjigjet edhe më me dinjitet kërkesave të kohës. Kuko, në takimin prezantues të prefektit të ri të Qarkut të Elbasanit, shoqërohej nga drejtuesi Politik i Partisë Socialiste në Elbasan, Damian Gjiknuri, i cili i kërkoi Prefektit të ri që si përfaqësues i qeverisë të kontribuojë maksimalisht në forcimin e bashkëpunimit me të shtatë njësitë e qeverisjes vendore dhe organeve ligj-zbatuese.

“Roli juaj prefekt merr një rëndësi shumë të madhe në verifikimin dhe konfirmimin e vendimeve të këshillave bashkiakë, pasi duke vlerësuar ligjshmërinë e tyre i hapet rruga zbatimin korrekt të ligjit. Nëse konstatohet se vendimi i këshillit bashkiak bie ndesh me legjislacionin apo me interesat publike, ju keni të drejtë t’i riktheni për rishqyrtim. Prefekti është autoriteti më i lartë vendor dhe kjo detyrë kaq e rëndësishme duhet justifikuar me punë dhe rezultate sa më të mira në garantimin e parametrave më të mirë të rendit e sigurisë, por edhe të përmirësimit të shërbimeve në çerdhe, kopshte, shkolla, universitet, spitale e kudo”,  tha Gjiknuri.

Pedagogu i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Ali  Mysliu u emërua Prefekt i Qarkut Elbasan  nga Kryeministri Edi Rama, pas dorëheqjes nga detyra e prefektes. Majlinda Perriu (Peza). Prefekti i ri Ali Mysliu, me rastin e prezantimit dhe marrjes zyrtarisht të detyrës duke falënderuar Kryeministrin për vlerësimin e treguar ndaj tij duke i besuar këtë detyrë të rëndësishme, premtoi se do bëj më të mirën e mundshme gjatë kohës që do jetë në këtë detyrë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme