Alibeaj-Berisha-Meta bashkojnë forcat për shkarkimin e Xhaçkës, çojnë në Kushtetuese vendimin e Kuvendit

Politikë | 4 vite më parë

Rithemelimi, Partia e Lirisë dhe grupi i Alibeajt kanë bashkuar forcat për të kundërshtuar vendimin e Kuvendit për rrëzimin e kërkesës së opozitës për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Kërkesa e firmosur nga 14 deputetët e grupit të Alibeajt është dorëzuar në Kushtetuese nga deputeti Gazment Bardhi. Ky i fundit në një deklaratë për mediat u shpreh se ky është rast unik në botë ku një ministre i jepet pronë publike për të investuar në shërbimet e hotelerisë së turizmit.

“Shqipëria është rasti unik në botë ku ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, deputetja Xhaçka gëzon njëkohësisht dhe statusin e partnerit strategjik për një investim në Himarë me vlerë 5.5 mln euro. Me vendim të eprorit të saj, Rama, ministrja Xhaçka dhe bashkëshorti i saj kanë përfituar të drejtën për të përdorur pronën publike për aktivitetin e tyre tregtar për fushën e hoteleri turizmit. Kjo bie ndesh me nenin 7 të Kushtetutës që i ndalon deputetët që të përfitojnë fonde publike apo të përfitojnë pronë publike. Grupi parlamentar i PD i kërkon gjykatës Kushtetuese që të marrë në shqyrtim pa vonesë kërkesën e depozituar dhe të garantojë zbatimin e këtij ndalimi kushtetues pavarësisht se bëhet fjalë për një njeri të rëndësishëm të kabinetit qeveritar”, tha Bardhi.

Kërkesa e depozituar në Gjykatën Kushtetuese nga Agron Shehaj mban firmat e 28 deputetëve të grupit të Sali Berishës dhe Partisë së Lirisë. Në një deklaratë për media Agron Shehaj deklaroi se me rrëzimin e kërkesës së opozitës, mazhoranca e shndërroi parlamentin në mburojë të korrupsionit të qeveritarëve.

“Pasi e zvarrit pa fund, një ditë me parë, mazhoranca bllokoi në Parlament dërgimin në Gjykatën Kushtetuese, të kërkesës për shqyrtimin e papajtueshmërisë më Kushtetutën për mandatin e Olta Xhaçkës. Më këtë votim të turpshëm, mazhoranca e shndërroi parlamentin edhe një herë tjetër në një mburojë, për korrupsionin e qeveritarëve të saj”, u shpreh Shehaj.

Një ditë më parë në një seancë maratonë në Kuvend, deputetët socialistë votuan raportin e mazhorancës në Këshillin e Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë që kundërshtonte heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme