Alibeaj nga Lapraka: Dyshja Berisha-Meta po mbajnë Edi Ramën në pushtet

Në një takim me demokratët e degës 11 në Laprakë, në mbështetje të kandidatit për Tiranën, Roland Bejko, kryetari i Komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha se sipas tij e ashtuquajtura prej tij dyshja Berisha-Meta po mbajnë Edi Ramën në pushtet.
Për Alibeajn, e keqja më e madhe e shqiptarëve është Edi Rama duke e bërë fajtor për shpopullimin e vendit.
“Pranon shantazhin e Edi Ramës dhe del ti e t luftosh korrupsionin, e t’u mbushësh mendjen njerëzve. Po pse budallenj janë demokratët e shqiptarët, nuk e dinë se çfarë ka ndodhur në këto 30 vite? Jo! E kjo është të jesh I besueshëm tek shqiptarët. E pra, do tit ë luftosh korrupsionin e shkon dhe futesh në sqetullën e Ilir Metajt?! Në 2013-ën, kush e pruri Edi Ramën në qeverisje. Në 2013-ën, Edi Rama, të majtët, pinjollët e komunizmit morën vetëm 64 mandate. 65 kishin marrë në 2009-ën. Pra, nuk kishte shans teorik dhe as mbështetje nga njerëzit që të vinin në qeverisje. Ishte vetëm trafikimi I votave dhe I mandateve me bekimin e Sali Berishës që shkoi dhe ia dha. Ia dha mundësinë Edi Ramës që të vinte në qeverisje dhe ta sillte vendin në këtë derexhe“, tha ai drejtuar Berishës.
Ndalur tek Sali Berisha, Alibeaj tha se dikur idhull dhe lider historik i demokratëve, sot ai po i perçan demokratët për interesat e tij.
“Nuk pritej, të paktën nga Sali Berisha, idhulli i demokratëve, dy herë president, dy herë kryeministër. Është futur në histori pikërisht prej mundit, djersës, sakrificës pse jo të shumë demokratëve. Dhe sot shpërblimi që po u jep demokratëve është pikërisht kjo, të përçajë demokratët, të ndaj demokratët, hidh helm mes demokratëve, e përse? Për një hall personal, për një hall personal që si u përbetua në 9 shtator në fakt, tha “ky është halli im, nuk do ta ndaj me demokratët, do ta zgjidh në mënyrë private. Po, burrit të shtetit kështu ia ka hija që të sillet. Pak kohë më pas, tha gjë tjetër: “një parti e cila nuk mbron liderin e saj, nuk meriton të ekzistojë”. Partia Demokratike nuk meriton të ekzistojë, për shkak të hallit personal të Sali Berishës?! Epo kjo është e papranueshme për to. Fyen inteligjencën e çdo demokrati që ka lënguar në këto vite nga 2013-ta e këtej, fyen të ardhmen tonë, fyen sakrificat e demokratëve”, tha Alibeaj.
Alibeaj tha se përpos të gjithave do t’i rezistojmë sulmit që sipas tij i janë bërë nga qeveria dhe Berisha.
“E në fakt jemi në një sulm nga tre persona: Rama, Berisha dhe Meta, bashkë, në marrëveshje me njëri-tjetrin. Në marrëveshje që dikur ka qenë okulte, e errët, duke ua hedhur demokratëve dhe shqiptarëve dhe tashmë kanë dalë hapur. Kjo trini e pashenjtë, Rama-Berisha-Meta, po e vijon sulmin që e nisën të tre së bashku ndaj Partisë Demokratike një vit e gjysmë më parë. Të gjithë ne jemi ngritur t’i rezistojmë këtij sulmi të pashembullt, të paskrupullt, të papastër. Jemi ngritur me forcën e karakterit tonë si qytetarë, si atdhetarë, si demokratë, e do ta bëjmë këtë, e do ta çojmë deri në fund”, tha Alibeaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




