Alibeaj: Rithemelimi dhe maxhoranca po bëjnë teatër. Janë bërë bashkë sepse nuk duan Reformë Zgjedhore

Politikë | 3 vite më parë

Mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore dështoi sërish këtë të martë (6 shkurt), ndërsa bashkëkryetari, Enkelejd Alibeaj ka akuzuar maxhorancën dhe deputetë e Rithemelimit për “teatër”. Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se ata janë bërë bashkë pasi, siç theksoi ai, nuk i intereson një Reformë Zgjedhore.

“Ajo që ndodhi sot nuk është gjë tjetër veçse teatri i radhës nga ata që nuk e duan Reformën Zgjedhore, një palë që me atë mënyrë që ka zgjedhur e shndërron mbledhjen e Komisionit në sallë muskujsh dhe nuk është ky qëllimi i Parlamentit. Kemi dhe maxhorancën që në mënyrë sistematike ka treguar që është e prirur të shndërrohet në atë teatër të shëmtuar parlamenti me qëllimin e qartë të mos e bëjë Reformën Zgjedhore. Nuk ka asnjë dyshim për askënd cila është arsye reale se përse të dyja palët nuk e duan dhe duket se janë bashkë.

Propozimet tona, listat e hapura, votimi dhe numërimi elektronik, Shqipëria një zonë elektorale dhe vota e diasporës, janë në interesin publik. Qëndrimi i PD-së është që nëpërmjet ndryshimeve të Kodit Zgjedhor t’i japim në dorë shqiptarëve që të jenë ata që vendosin në mënyrë që Parlamenti të mos jetë kjo farsë e shëmtuar. Të jenë ata që kanë të drejtë ta ndëshkojnë, dhe kjo bëhet vetëm duke patur në dorë instrumentin votë. Çdo përpjekje penguese nuk bën asgjë, veç se i krijon komoditetin maksimal maxhorancës. Edi Rama është mëse komod dhe i qetë me këtë Kod Zgjedhor”, tha Alibeaj.

Lidhur me njoftimin për zhvillimin e mbledhjes online, Alibeaj tha se nuk ka patur dakordësi për zhvillimi e saj të premten, teksa shtoi se ai kishte kërkuar vijimin e mbledhjes online ditën e sotme.  

“Nuk ka patur dakordësi për mbledhje online të premten. Ka qenë kërkesë e bashkëkryetarit, ne kemi qenë të gatshëm për ta zhvilluar sot, të dëgjojmë zëri e atyre që janë operatorë apolitik, shoqëria civile”, u shpreh ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme