Ambasadori gjerman, mesazhi: Partitë t’i zgjidhin problemet paqësisht, po i monitorojmë

Në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf përcjell mesazhin se në mënyrë që të garantohen këto të drejta, nevojitet një shtet i qendrueshëm, një kornizë politike që respekton llogaridhënien ndaj qytetareve dhe qytetarëve të saj.
Ndërsa thekson janë duke monitoruar me vëmendje situatën aktuale, ai iu bën apel partive që të përfshihen në mënyrë konstruktive në punën parlamentare dhe të punojnë për zgjidhjen e problemeve paqësisht dhe brenda kuadrit të strukturave ligjore.
“Të drejtat e njeriut janë universale dhe të panegociueshme. Ne angazhohemi për t‘i mbrojtur këto të drejta në mbarë botën. Kjo është një përgjegjësi, e cila del nga kapitulli i errët i historisë gjermane. Kjo përgjegjësi është sot një pjesë e vetëkuptueshme e politikës sonë të jashtme. Që të drejtat e njeriut të mund të garantohen për të gjithë, nevojitet një shtet i qendrueshëm, një kornizë politike që respekton llogaridhënien ndaj qytetareve dhe qytetarëve të saj, vepron me transparencë si dhe mbron të drejtat e tyre.
Për këtë arsye ne angazhohemi bashkërisht me partnerët tanë evropianë, brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, për strukturat demokratike dhe luftën kundër korrupsionit. Por shtetet demokratike kanë nevojë dhe për një shoqëri të hapur dhe një opozitë të fortë si korrigjues.
Prandaj ne jemi duke monitoruar me vëmendje situatën aktuale. Është e rëndësishme që të gjitha partitë të përfshihen në mënyrë konstruktive në punën parlamentare dhe të punojnë për zgjidhjen e problemeve paqësisht dhe brenda kuadrit të strukturave ligjore”, thekson ambasadori Zingraf.
Mesazhi i tij vjen ndërsa të shtunën përkrahës të ish kryetarit të PD dhe ish kryeministrit Sali Berisha kanë lajmëruar mbledhjen e një kuvendi ku do të shkarkojnë kreun aktual të partisë Lulzim Basha. Ndërsa ambasada amerikane në Tiranë i këshilloi qytetarët amerikanë të shmangin çdo tubim të madh në qytet. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha publike mund të zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme, theksonte ambasada amerikane.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




