Andrew, Edward, William dhe Harry nuk arritën dot në kohë, kush ndodhej pranë Elizabeth II në momentet e fundit të jetës

Britania është sot në zi për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II. Ditën e djeshme (8 shtator) Pallati Mbretëror pak orë para se monarkja 96-vjeçare të ndahej nga jeta, njoftoi për gjendjen e rëndë shëndetësore të saj, për të dalë sërish me një njoftim për të komunikuar lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Elizabeth II.
Sipas Daily Mail, anëtarët e familjes mbretërore ndonëse u njohën me lajmin, nuk arritën dot në kohë për të qenë pranë shtratit të Mbretëreshës teksa ajo jepte frymën e fundit.
Vetëm fëmijët e saj më të mëdhenj, Princi Charles dhe Princesha Anne, të cilët ishin në Skoci ishin në gjendje të arrinin para vdekjes së saj. Princi Andrew, Princi Edward, gruaja e tij Sophie dhe Princi William fluturuan të gjithë nga Berkshire me avion privat për në Aberdeen, por nuk arritën dot në kohë.
Princi Harry, ndodhej në një ngjarje bamirësie me bashkëshorten e tij Meghan kur u njoh me lajmin e gjendjes së rëndë shëndetësore të monarkes, por ndonëse u nis për në Balmoral, arriti një orë e gjysmë pas vdekjes së Mbretëreshës. Harry shkoi pa Meghan në Balmoral.
Pas 70 vitesh në fron, Mbretëresha Elizabeth II u nda nga jeta më 8 shtator në moshën 96-vjeçare, në Balmoral të Skocisë. Me mijëra qytetarë u mblodhën jashtë portave të Pallatit Buckingham dhe ndërtesave të tjera mbretërore mbrëmjen e 8 shtatorit. Në një moment, një interpretim i ‘God Save The Queen’ u përhap në mesin e vajtuesve, i ndjekur nga brohoritjet e ‘Long Live The King’.
Të tjerët vendosën lule jashtë kështjellës Windsor ku Mbretëresha kishte kaluar shumë nga koha e saj pas vdekjes së burrit të saj të dashur, Princit Philip, në prill të vitit të kaluar. Dhe në shenjë të ndikimit dhe apelit të konsiderueshëm të Mbretëreshës në mbarë botën, fansat mbretërorë vendosën lule jashtë ambasadave britanike, duke përfshirë në Uashington, Berlin dhe Oslo.


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




