Aneloti, elozhe ekipit: Një fitore karakteri

Reali i Madridit ka arritur një kualifikim dramatik në Kupën e Spanjës, teksa ka kapërcyer inferioritetin numerik dhe pësimin e golit dhe mund Elçen 2-1 në shtesë, në takimin e vlefshëm për turin e 16-shes, të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit në kanalin RTSH Sport. 90 minutat e kohës së rregullt u mbyllën 0-0 dhe, ndonëse do të mbeten me 10 lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq të Marselos, në minutën e 102-të dhe, menjëherë më pas do të pësojnë edhe gol, madridlenët e kapërcejnë inferioritetin numerik, por edhe deficitin e një goli, pasi barazojnë shifrat në minutën e 108-të, me anë të Iskos. Dhe 8 minuta më pas, Eden Hazard përmbys gjithçka me golin e dytë të Realit. Dhe trajneri i Realit, Karlo Ançeloti, e ka cilësuar këtë si një fitore karakteri.
“Jam shumë i lumtur. Në fakt, mendoj se është ndeshja që më ka dhënë më tepër kënaqësi. Kjo është një skuadër që ka shumë përunjësi, karakter dhe forcë. Kjo skuadër nuk dorëzohet kurrë. Kjo ishte edhe më e bukura e kësaj ndeshjeje. Mund të flasësh për shkallën e vështirësisë, që ishte një ndeshje e ndërlikuar, por unë dua të veçoj karakterin e kësaj skuadre dhe të këtyre lojtarëve.”
Trajneri italian i madrilenëve veçoi edhe paraqitjen e dy autorëve të golave.
“Skuadra reagoi shumë mirë dhe jam shumë i lumtur për Iskon dhe Hazardin, pasi nuk kanë patur shumë minuta në dispozicion. Por ata ishin aty në këtë ndeshje dhe e dinim që mund të shkonte gjatë. Duhet ta marrësh në konsideratë që mund të shkonte në shtesë, prandaj ishim të përgatitur.”
Pavarsisht një fundi dramatik, ku vendasve u është anuluar në mënyrë kontradiktore edhe një gol, Reali i Madridit mposht Elçen 2-1 dhe siguron vendin në çerekfinale të Kupës së Spanjës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




