Anëtarësimet e reja në Kamzë, Veliaj: “Më të mirët shkojnë te më të mirët; Kamza, shembull i transformimit rrënjësor!”

Politikë | 3 vite më parë

 
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj vijoi turin e anëtarësimeve të reja në Kamzë. 

Veliaj tha se skuadrës së Partisë Socialiste i janë bashkuar qytetarë të aftë e të talentuar. Sipas tij Kamza është kthyer në një histori suksesi.

“Kamza me stekën e ngritur lart është kthyer në një model për të gjithë. Jam shumë i frymëzuar sot dhe vërtet ndiej një kënaqësi të jashtëzakonshme, se si një zonë që konsiderohej tabu, një zonë që konsiderohej tokë e pashkelur, që konsiderohej bastion i dikujt tjetër, qytetarët dhanë një leksion të madh, me atë fitoren tonë të madhe. Ishte një fitore frymëzuese, por edhe përulëse. Na treguan se nuk ka asnjë bastion që nuk e fitojnë socialistët e organizuar, të mobilizuar, të përulur dhe mëngëpërveshur, për të bërë këto punë të jashtëzakonshme që janë bërë në Kamzë”, u shpreh Veliaj.

Mbyllja e turit të anëtarësimeve në Partinë Socialiste i paraprin një superfushate pozitive, siç theksoi Veliaj, për një mandat të katërt të PS 

“Në total, në të gjithë qarkun e Tiranës kemi pasur mbi 5000 anëtarësime të reja. Ndoshta ka qenë fushata më produktive, më e dobishme, më fitimtare në sensin e fitoreve të zemrave e mendjeve të njerëzve. Nuk bëhet fjalë për të fituar territor, por për të fituar zemrat e njerëzve. Unë besoj se me këtë shtesë, ne si qark jemi gati në të 43 njësitë, që të përgatitemi për një fushatë pozitive dhe për një derë të hapur që duhet të rrijë e hapur edhe pas kësaj fushate”, tha ai. 
 
Me bindjen se rritja e kapitalit njerëzor brenda partisë eshte çelësi që garanton progress, Veliaj përsëriti edhe njëherë ftesën për këdo që do t’i bashkohet Partisë Socialiste. 

Gazetare Albana Agolli

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme