Anëtarësimi në NATO/ Suedia dhe Turqia negociojnë mes tyre më 12 qershor

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se përfaqësuesit nga Turqia dhe Suedia do të takohen brenda pak më shumë se një jave në përpjekje për të kapërcyer mosmarrëveshjet e tyre rreth anëtarësimit të vendit nordik në aleancën ushtarake.
Nga frika se mund të ishin objektivi i radhës i Moskës, pasi u pushtua Ukraina vitin e kaluar, Suedia dhe Finlanda braktisën pozicionet e tyre neutrale të mosangazhimit ushtarak duke kërkuar mbrojtje nën ombrellën e sigurisë së Aleancës së Atlantikut të Veriut.
NATO dëshiron ta sjellë Suedinë në gjirin e saj deri në kohën kur vendet aleate të takohen në Lituani më 11-12 korrik. Ndërsa Turqia dhe Hungaria ende nuk e kanë miratuar kërkesën e Suediësë për anëtarësim. Ndërkaq, të 31 vendet anëtare duhet të ratifikojnë protokollin e anëtarësimit të Suedisë.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jens Stoltenberg i ka bërë thirrje Turqisë që të ndryshojë kurs në qasjen e saj ndaj ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO.
Sipas tij Stoltenbergut, Stokholmi i ka adresuar shqetësimet e Turqisë, lidhur me sigurinë dhe se i ka përmbushur të gjitha detyrimet.
“Suedia ka marrë hapa konkretë për t’i shmangur shqetësimet e Turqisë. Suedia i ka përmbushur të gjitha obligimet”, ka deklaruar shefi i NATO-s gjatë takimit me presidentin turk Ergodan.
Stoltenberg ishte i pranishëm edhe në inaugurimin e së shtunës kur presidenti Erdogan u betua në postin e kreut të shtetit turk për të nisur një mandat tjetër presidencial pesëvjeçar.
Turqia, e cila është një nga vendet anëtare më të rëndësishme të NATO-s ka bllokuar anëtarësimin e Suedisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Turqia dhe Hungaria, janë të vetmet vende anëtare që nuk e kanë ratifikuar aplikimin e Suedisë për t’u bërë pjesë e NATO-s. Ndërkaq, Finlanda, që aplikoi njëherësh me Suedinë iu bashkua në muajin prill aleancës.
Nga ana e tij, Erdogani e ka akuzuar Suedinë se është kthyer në strehë për “terroristët”, sidomos për pjesëtarët e Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK). Për këtë arsye, ai ka vendosur veton ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO pasi grupi PKK është në listën e zezë të Ankarasë. Erdogan ka kërkuar ekstradimin nga Suedia të atyre që ai i cilëson terroristë gjë e cila është kundërshtuar nga vendet perëndimore duke prodhuar në këtë mënyrë edhe ngërçin për anëtarësimin e saj në NATO.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




