Anglia përgatitet për trazira pas vrasjeve me thikë, 30 protesta në fundjavë

Europë | 2 vite më parë

Anglia po bëhet gati këtë fundjavë për dhjetëra protesta si reagim ndaj vrasjes me thikë të tri vajzave nga një 17-vjeçar në qytetin e Sauthportit.

Shefat e policive lokale kanë premtuar prani të shtuar efektivësh dhe prokurorësh për të siguruar mbarëvajtjen e tubimeve dhe ndjekjen e shpejtë të rasteve të dhunës që mund të paraqiten.

Nga gati 30 protesta, 23 prej protestave mësohet të jenë organizuar nga aktivistë të ekstremit të djathtë. 

Grupi “Shpresë, Jo Urrejtje” (o. Hope Not Hate) pretendon se protestat e ultradjathtistëve kanë një agjendë “antimultikulturaliste, antimyslimane dhe antiqeveritare”.

Aksel Muganua Rudakubana (o. Axel Muganwa), autori 17-vjeçar, që po gjykohet për vrasje dhe tentativa për vrasje, u mori jetën tri vajzave gjashtë-, shtatë- dhe nëntëvjeçare teksa merrnin pjesë në një uorkshop për ushtrime dhe kërcim të frymëzuar nga këngëtarja amerikane Tejlor Suift (o. Taylor Swift). Ai ka lindur në Britaninë e Madhe, por me prindër me prejardhje nga Ruanda.

Kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi të enjten se do të ketë një reagim “kombëtar” ndaj çdolloj trazire që mund të vijë si pasojë e protestave. 

Në protestat e mëparshme në Sauthport janë arrestuar tetë persona për shkelje të ndryshme, si tubim i dhunshëm apo vjedhje, ndërsa tre oficerë policie kanë marrë ndihmë spitalore nga plagët.

Edhe të premten mbrëma mes policisë dhe protestuesve pati një përballje para xhamisë. Protestuesit hodhën objekte në drejtim të forcave të rendit dhe i vunë zjarrin një rajoni policie. /Skynews

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme