Anketa për performancën e gjyqësorit dhe qeverisë, Dyrmishi: Korrupsioni, kërcënimi kryesor

Aktualitet | 2 vite më parë

Në Tiranë, Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes publikoi dje anketën kombëtare Barometri i Sigurisë 2024, sipas të cilit, shumica e qytetarëve mendojnë se korrupsioni është kërcënimi më serioz për sigurinë e Shqipërisë. I ftuar në studion e RTSH 24, eksperti për çështjet e sigurisë, Arjan Dyrmishi u shpreh se, sipas matjeve të këtij viti janë 43% qytetarë që kanë shprehur këtë mendim.

 “Pyetja që bëjmë ne që e bëjmë çdo vit që është lufta ndërmjet vendeve, korrupsioni, krimi i organizuar, terrorizmi, sulmet kibernetike, mjedisi emigrantët, ka një numër çështjesh për të parë si ndryshon opinioni publik në funksion të zhvillimeve të ndryshme që ka. Që prej vitit 2019 kur e kemi organizuar  për herë të parë këtë vrojtim, korrupsioni është evidentuar si kërcënimi kryesor, lufta ka qenë në vitin 20222 pas luftës në Ukrainë që ishte e dyta, pas korrupsionit. Përveç faktit që korrupsioni është evidentuar si kërcënim, për sigurinë në mënyrë të vazhdueshme, këtë vit kishte një numër më të madh rreth 43%, rritet numri i qytetarëve që e shikojnë korrupsionin. Do analizë më të thelluar për të kuptuar nëse qytetarët janë bërë më të vetëdijshëm për korrupsionin, se mund të jenë edukuar. Kjo është një matje një dimensionale sepse duhet bërë  një lloj vlerësimi më dimensional për të kuptuar shkak-pasojat dhe shkaqet mund të jenë nga më të ndryshmet. Ne matjen e realizojmë si mjet diskutimi nuk duam të interpretojmë në të gjitha dimensionet gjetjet”, u shpreh ai.

Dyrmishi shtoi se një risi është edhe shtrirja e sigurisë në disa fusha, që jo domosdoshmërish qytetarët i shohin si çështje sigurie, siç është edhe situata ekonomike.  Ai tha se janë 30% e qytetarëve që kanë pasiguri të larta sa i përket situatës ekonomike dhe të pasurit e një pune.

“Ajo që ne jemi munduar të matim për herë  të parë, sepse siguria në opinionin publik shqiptar shihet kryesisht e lidhur me rendin publik, një risi që sjellë barometi është që e shtrin sigurinë në disa fusha që jo domosdoshmërish njerëzit i shohin si çështje sigurie. Siguria ekonomike ka të bëjë me të ardhurat aktuale të  njerëzve, me sigurinë që ata kanë për punësimin dhe të ardhurat e tyre dhe mënyra si ata i shohin këta elementë ka të bëjë me vendimmarrjen dhe një nga shqetësimet që ne kemi patur ka qenë për të parë edhe sa largimi i njerëzve nga vendi ndikohet edhe nga pasiguria ekonomike. Rreth 30% e qytetarëve kanë pasiguri të larta sa i përket sigurisë ekonomike, pasjes së një vendi pune, perspektives se do kenë apo jo një vend pune, sigurisë ushqimore sa i përket shumëllojshmërish, por dhe sasisë pasi një numër mbi 30% qytetarësh që kanë deklaruar  se gjatë vitit ët kaluar ju është dashur të zvogëlojnë sasinë ushqimore. Kjo prodhon pasiguri. Qëllimi i këtyre matjeve është që të bëhen analiza të thelluara nga institucionet në mënyrë që të merren më pas masat e duhura”, deklaroi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme