Antigonea, destinacion i preferuar i turistëve të huaj, trashëgimia kulturore tërheq vizitorët

Aktualitet | 2 muaj më parë

Parku Arkeologjik i Antigonesë po përjeton një fluks të shtuar vizitorësh gjatë kësaj periudhe verore, ku dominojnë kryesisht turistët italianë, të cilët shprehen të interesuar për historinë, arkitekturën dhe rëndësinë që mbart ky park për trashëgiminë kulturore.

Vetë vizitorët theksojnë se Antigonea është një destinacion i veçantë, ku ndërthuren natyra dhe historia. Ata vlerësojnë ruajtjen e monumenteve dhe panoramën që ofron zona, duke e konsideruar një eksperiencë unike për çdo turist që viziton jugun e Shqipërisë.

“Më pëlqen shumë ky park. Këtu kemi marrë të gjitha shpjegimet e mundshme nga përgjegjësi dhe drejtuesi i parkut. Çfarë më pëlqen më shumë në park? Sigurisht, banesat, zona dhe gjithçka tjetër, por mbi të gjitha më pëlqen vegjetacioni, është shumë i bukur, shumë i veçantë”, shprehen turistët.

“Mendoj se këtu po bëhet një punë e madhe nga njerëzit. Për mua, kjo më prek. Ajo që më prek është historia e këtij vendi, origjina e tij. Dua të them, kush e ka ndërtuar dhe pse e kanë bërë. Dhe kam shumë pyetje në mendje përse jeta e tij ka qenë kaq e shkurtër. Më pëlqen puna që po bëjnë këta njerëz, sepse është një përpjekje e madhe për ta ruajtur dhe për ta nxjerrë në dritë gjithë këtë realitet, duke u përpjekur ta paraqesin sa më afër asaj që ka qenë në të vërtetë.”

Sipas drejtuesit të parkut, Thoma Basho, numri i turistëve këtë vit ka shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ai thekson se interesi në rritje vjen si rezultat i promovimit më të mirë dhe shtimit të vizitorëve të huaj, duke e kthyer Antigonen në një nga pikat më të vizituara arkeologjike në zonë.

“Nga viti i shkuar sigurisht ne kemi një rritje më të madhe pasi Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër ka marrë iniciativa të ndryshme si mund të jenë reklamimi i tyre po kështu në mediat sociale por edhe zonën e pazarit“, tha ai.

Parku Arkeologjik i Antigones po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një nga destinacionet më të rëndësishme kulturore në jug të vendit. Rritja e numrit të vizitorëve, veçanërisht turistëve të huaj, tregon interesin në rritje për historinë dhe trashëgiminë shqiptare, duke e bërë këtë park një pikë referimi të rëndësishme për turizmin kulturor në rajon.

Gazetare: B.Pëllumbi 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme